
-Nga Ermelinda Meksi-
Kthimi i Trump si president i SHBA ka ngritur natyrshëm pyetje në Austri dhe Europe lidhur me ndikimin nga kufizimet e mundeshme tregtare deri te nxitja e mundshme e të djathtës ekstreme.
Politikat e tij “America First”, që përfshijnë tregtinë, klimën dhe sigurinë, jane tashmë sfida për të ardhmen ekonomike dhe politike të Austrisë dhe vendeve te tjera europiane.
Një sondazh nga Shoqata Austriako-Amerikane tregoi se 42 % e austriakëve besojnë se imazhi i SHBA është përkeqësuar vitin e kaluar, duke përmendur si faktor kyç rizgjedhjen e Trump.
Keto ndryshime mund të ndikojnë në shkëmbimet kulturore dhe ekonomike midis dy vendeve ,perball skepticizmit austriak ne rritje ndaj politikave të SHBA nën administraten e re Trump.
1.Lidhjet ekonomike të Austrisë me SHBA përballen me pasiguri
Dhoma Ekonomike Federale Austriake (WKÖ) raporton se Shtetet e Bashkuara mbeten tregu i dytë më i madh i eksportit të Austrisë, me 14.7 miliardë euro mallra të eksportuara në vitin 2023, duke përfshirë makineri, automjete dhe produkte farmaceutike.
Por deklarimi i Trump për rishikimin e marrëveshjeve tregtare dhe vendosjen e tarifave mund të ndikojë në ekonominë e Austrisë te orientuar nga eksporti.
Bizneset që mbështeten në marrëdhëniet e qëndrueshme tregtare mund të përballen me sfida, me pengesa të mundshme për aksesin në treg nën administratën e re. Sipas WKÖ, kompani si Red Bull kanë zhvendosur tashmë pjesë të prodhimit të tyre në SHBA për të shmangur ndërprerjet e mundshme tregtare.
2. Vendimi i Trump për të tërhequr SHBA nga Marrëveshja e Parisit për Klimën minon përpjekjet globale për të luftuar ndryshimet klimatike.
Austria, që është angazhuar per arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2040, mund të përballet me presion të shtuar nga boshllëku qe do krijoj pjesëmarrja e zvogëluar e SHBA.
Shkencëtari politik François Heisbourg e përshkroi qasjen e Trump si të dëmshme për ambiciet mjedisore të Evropës.
“Trump përçmon të gjithë ata që i konsideron të dobët. Dhe për të, europianët janë të dobët”, u shpreh ai për Der Standard. Theksi i tij në prodhimin e karburanteve fosile bie ndesh me objektivat e Austrisë për energjinë e rinovueshme, duke e vendosur BE në një rol më të spikatur udhëheqës per problemet e klimës.
3.Kritikat e Trump ndaj NATO-s dhe qasja e tij transaksionale ndaj aleancave do krijojnë sfida shtesë për Europën.
Heisbourg vë në dukje se Trump mund të bëjë qëllimisht kërkesa të paarsyeshme, të tilla si t’u kërkojë vendeve europiane të shpenzojnë deri në 5% të PBB së tyre për mbrojtje.
“Do të ishte e arsyeshme të kërkohej nga europianët që të rrisin shpenzimet ushtarake në 2-3%,por 5% është e paqëndrueshme,” u shpreh ai .
Në televizionin austriak, eksperti politik Martin Weiss duke folur për qasjen e Trump ndaj politikës së jashtme, vuri në dukje se :
“Trump e sheh diplomacinë dhe aleancat në një mënyrë shumë transaksionale dhe një qasje e tillë mund të gërryejë marrëdhëniet tradicionale”
4.presidenca e Trump ka inkurajuar lëvizjet e ekstremit të djathtë globalisht, duke përfshirë edhe Austrinë. Partia e Lirisë (FPÖ), e cila ndan pikëpamjet e Trump për migracionin dhe nacionalizmin, ka fituar vrull në politikën austriake dhe do kete kancelarin e saj të parë ndonjëherë ne qeverine e re..
Gjesti i diskutueshëm i Elon Musk në inaugurimin e Trump, nxjorri në pah se grupet e ekstremit të djathtë ndihen të legjitimuar.
Megjithëse Musk mohoi se kishte bërë përshëndetje naziste, interpretimi i tij si i tillë nuk humbi mes ekstremistëve të djathtë në mbarë botën dhe në Austri.
Rritja e ekstremit të djathtë nuk ka të bëjë vetëm me politikat e tyre, por me mënyrën se si ekstremistët tashme ndihen të justifikuar për çfarëdo antisemitizmi, antimuslimanizmi, racizmi e të tjera. ndjenja që mund të kenë.
Heisbourg keshillon se: “Europa duhet të mësojë t’ja dali edhe pa Amerikën edhe nëse kjo eshte e vështirë.”