Giro d’Italia, një nga evenimentet sportive më të ndjekura në botë, do të zhvillohet në maj të këtij viti në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga Rinasi ku shprehet se pret që të niset për në Romë për prezantimin, teksa shton se përzgjedhja e Shqipërisë për të mbajtur këtë event tregon rritjen e popullaritetit ndërkombëtar.
Rama thotë se është një nga ngjarjet më të rëndësishme të sportit që transmetohet nga 200 televizione të botës dhe se mbi 800 milionë shikues do njihen me bukuritë e vendit tonë.
“Për pak nisemi për Romë për prezantimin Giro D’Italia, një ndër ngjarjet më të mëdha të sportit që transmetohet nga 200 TV të botës.
Këtë vit Shqipëria është zgjedhur si vendi i nisjes së madhe ku do të zhvillohen tre etapat e para dhe për tre ditë rrjesht bukuritë e vendit tonë, Durrësi e Kruja me historinë dhe peisazhet e tyre të mrekullueshme, Tirana me zhvillimin e saj mbresëlënës, Vlora me luginën e lumit të saj, majën e Llogarasë, ujërat e Jonit dhe Adriatikut do të ekspozohen në sytë e 800 milionë teleshikuesve.
Pa llogaritur dhjetëra mijëra tifozë të ciklizmit që do të vijnë në Shqipëri për të ndjekur nga afër idhujt e tyre.
Kjo ngjarje e madhe sportive ku kandidatura e Shqipërisë u përzgjodh për edicionin e Giros së këtij viti është tjetër pasqyrë kuptimplotë e rritjes së popullaritetit ndërkombëtar të vendit tonë ku deri para disa vitesh të tilla ngjarje as mund t’i imagjinoje.
Nsja e Giro D’Italia në Shqipëri është tjetër shtysë e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë tonë të turizmit që është industri e re por sapo e mbylli vitin e shkuar me thuajse 12 milionë turistë. Shqipëria po bëhet dita ditës dhe ngjitja e saj drejt majës së 2030 në BE vazhdon përditë. E pandërprerë dhe e pandalshme”, u shpreh Rama.