Aktualitet/LajmeEkonomiKryesoreNdodhi

Brace: Klodi i paprekshem ne Kosove, operimet i kryen ne Shqiperi

 

Pas lajmit se Prokuroria e Kosovës ka nisur hetime për pastrim parash dhe fshehje të ardhurash ndaj Klodian Allajbeut, pronarit të Spitalit Amerikan në Tiranë, ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Deputeti i mazhorancës ka bërë një kritikë të hapur ndaj mungesës së funksionimit të administratës tatimore në Shqipëri, duke e vënë në pah këtë fakt përmes një statusi të tij në rrjete sociale.

“Klodi qenka i prekshëm në Kosovë! Atje ku ka administratë tatimore, ku kontrollohen faturat, hyrjet e daljet, bilancet e spitaleve e spitalit të këtij!”, shkruan Braçe, duke nënvizuar diferencat mes institucioneve të dy vendeve.

Ky reagim i tij ka ngritur pyetje mbi kontrollin dhe transparencën e aktiviteteve të bizneseve të mëdha në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, përfshirë Klodian Allajbeun dhe biznesmenin Ekrem Lluka, për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpëlarje të parave”.

Hetimet kanë zbuluar skema të falsifikimit dhe prezantimit të dokumenteve false për qëllime të pastrimit të parave në Administratën Tatimore të Kosovës.

Prokuroria thekson se rasti përfshin hetime të gjata dhe të thelluara që kanë zbardhur veprimtari të dyshuara të paligjshme financiare, duke përfshirë edhe subjekte juridike si kompani dhe organizata. Ky rast pritet të ketë trajtim intensiv nga autoritetet kosovare.

Ky qëndrim i deputetit socialist ngre një diskutim të hapur mbi funksionimin e institucioneve shtetërore shqiptare në mbikëqyrjen e bizneseve të mëdha dhe transparencën e tyre financiare.

Artikuj të lidhur

Back to top button