Nëse ka një tipar që na dallon e nuk po na shqitet prej se jemi zënë si komb, ky është egoizmi, uni mediokër dhe mburrja e dukja, mungesa e bashkëpunimit dhe krenaria idiote e mbushur me vetëvlerësim banal. Pashë para pak ditësh një takim me rektorë të universiteteve private e publike, me pjesëmarrje ministrash dhe me praninë edhe të Edi Ramës aty, ku rektori i një universiteti privat, z. Ethem Ruka, shpalli një nismë apo një platformë, apo një lëvizje se ishte e vështirë ta kuptoje se çfarë ishte ajo, në të cilën forumet e larta të këtyre Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri, zotoheshin se do të sillnin studentë të huaj që të studionin në universitetet shqiptare dhe këtë do ta bënin më aksion. M’u kujtua një skeç i estradës së Tiranës, ku një ekip amator detyrohej nga sekretari i partisë së ndërmarrjes që në ndeshjen e ardhshme me ekipin e ndërmarrjes tjetër të shënonin sa më shumë gola. Madje edhe portieri u angazhua që të bënte katër gola. Ajo skenë sureale aty paraqet gjithë pamjen e trishtë të frymës së kombit shqiptar. Përse ? E dhëna e parë katastrofike është se universitetet shqiptare publike e jo publike janë jashtë çdo rankimi në të të gjitha llojet e vlerësimeve që bëhen në botë. Me përjashtim të Universitetit « Epoka » apo UB-ja, që kanë një vlerësim modest në këto rankime, të tjerët janë inekzistentë. Shqipëria ka mbi tridhjetë vjet që jo vetëm nuk e ka shëndoshur arsimin publik, por nuk ka ndërmarrë asnjë reformë substanciale që ta përmirësojë atë. Universitetet jo publike, me pak përjashtime, janë edhe ata shëmbëlltyra e universiteteve publike. Nga falimentimi shumë prej tyre i ka shpëtuar klientelizmi shtetëror i cili u ka mundësuar që të hapin edhe ata degë të infermierisë apo edukimit shëndetësor, sepse për këto programme, ka kërkesa nga që të rinjtë shqiptarë, në shumicë, mendojnë të punësohen në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër të Europës Perëndimore. Struktura e Universiteteve publike shqiptare është ajo e konceptuar nga Enver Hoxha ku qëllimi ishte përgatitjae kuadrove në të gjitha sektorët sepse socializmi do të ndërtohej me forcat tona. Kush i ka penguar universitetet publike e jo publike që të bëjnë studime në hapësirën shqiptare të paktën dhe të shohin se çfarë mundësish kanë ato dhe çfarë programesh mund të hapen. Është e paimagjinueshme se si mes Shqipërisë e Kosovës apo Maqedonisë, mes elitave akademike të këtyre vendeve, nuk ka një bashkëpunim për të parë mundësinë që arsimimi i lartë në këto vende të unifikohet dhe të realizohen shkëmbime studentësh e profesorësh. Por, secili për hesap të vet dhe kështu, me të drejtë, mund të themi se kjo është punë shqiptarësh, ku një qeveri krijohej në Durrës e një tjetër në Kongresin e Lushnjes. Ajo që më skandalizon është një anë tjetër. Prej kohësh, drejtues të Institutit Alb-Shkenca një organizëm mbarëshqiptar me personalitetete akademike që japin mësim nëpër universitetet të huaja dhe një ndër ta, Gentjan Zeneli, që është pedagog në Norvegji, kanë hartuar platforma dhe kanë propozuar rrugët se si mund të bëhet ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë në Shqipëri dhe askush nuk i përfill, megjithëse ato propozime ia kanë dërguar të gjitha instancave të shtetit shqiptar. Në studimet e tyre ata kanë evidentuar se në Shqipëri ka përafërsisht 4500 vetë personnel akademik, po aq ka edhe jashtë. Në qoftë se do të duam të bëjmë ndërkombëtarizimin e universiteteve ka vetëm një rrugë- përgatitja e kurikulave në anglisht dhe mësimdhënia në anglisht. Fillimisht kjo mund të bëhet duke tërhqur këtu me kohë të pjesshme pikërisht një pjesë të këtij personeli, që ndodhet jashtë, të cilët i kanë gati edhe kurikulat edhe studentët e huaj që mund t’i ndjekin e, më pas, mund të shtrihet edhe në njësi të tjera. Si mund të vijë një student i huaj nga vendet arabe apo afrikane apo të Azisë apo nga çdo vend tjetër në vendin tonë kur programet e studimit të universiteteve tona janë në shqip dhe universitetet nuk i njeh askush. Për çfarë do të studiojë ai student i huaj këtu ? Ku do ta përdorë atë diplomë ? Sot interneti është bërë një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar arsimin e shkencën. Më thoni cilat janë organet që dalin në anglisht e që botohen nga universitetet tona me impakt në rrjetet akademike botërore. Ndërkaq, është e pakuptueshme se si ndihmesa e një prej shkencëtarëve më në zë në Europë e në botë, prof. Arben Mekoçi, që drejton një departament të rëndësishëm të Nano-biosensorëve në Katalonjë të Spanjës, nuk po shfrytëzohet. Është ngritur prej tre vjetësh godina e Nanoshkëncës që do të mbajë aty Institutin ndërkombëtar Ballkanik të Nanoshkencës e Nanoteknologjisë por ajo nuk vihet në punë se Akademia e Shkencave dhe qeveria shqiptare nuk pyesin fare për një investim të tillë. Prof. Merkoçi ka doktorantë e studentë nga gjithë bota. Nëse do të çelej ky Insitut, aty do të transferoheshin departamente të tjera nga Italia apo Amerika sepse kushtet e punës, të klimës e të akomodimit janë të shkëlqyera në Shqipëri. Dhe tjetra. Prof. Merkoçi organizon çdo vit në Shqipëri një Komgres Botëror të Nanoteknologjisë e Nanoshkencës dhe ka sjellë këtu edhe nobelistë. Por e dini më të bukurën ? Në kongresin e fundit, Universiteti i Tiranës nuk mori pjesë. E dini pse ? Sepse në një poster nuk dilte akronimi i tyre. Edhe kur ky gabim teknik u ndreq, atë përsëri nuk erdhën. E kuptoni se si jemi katandisur. Tani këta që refuzuan atë kongres zotohen para Edi Ramës që do sjellin studentë të huaj në Shqipëri. « O tempora o mores » do të thoshte latini. Pas atij modeli, një tjetër inisiativë nuk po realizohet. Niko Qafoku është një tjetër shkencëtar i përmasave botërore. Ai punon në një qendër kërkimore të qeverisë amerikane (Pacifik Northwest National Laboratory) si Laboratory Fellow, Environmental Subsurface Science; Deputy Director of Outreach, RemPlex. Ai është përzgjedhur para dy vjetësh në 2% e shkëncëtarëve më me ndikim në botë. Prej vitesh ai kërkon të sjellë këtu një Laborator të atyre përmasave dhe të sjellë po ashtu edhe kolegë e bashkëpunëtorë në mënyrë që ky Laborator të jetë unik në Ballkan e në Europë, mirëpo heshtje, askush nuk merret me propozimin e tij. Me rastin e emisionit tim « ADN » kam kontaktuar e më kanë kontaktuar me dhjetëra personalitete të tilla shqiptare që kanë dëshirë të bëjnë diçka për vendin dhe të sjellin përvojën e tyre këtu, por as unë nuk kam mundur ta bëjë të arritshme këtë kërkesë. Ndaj, kur sheh mbledhje të tilla si ajo e para disa netëve në një sallë të një hoteli në Tiranë, trishtimi bëhet i madh dhe ti bindesh se është e kotë. Përballë egoizmit provincial, mungesës së dëshirës për
bashkëpunim mes shqiptarëve, ky vend do të shkojë ashtu si deri më sot. Mund të bëhet një fshat i madh turistik, por fshat do të mbetet. Tri gjëra nuk kanë dashur t’i ndreqin kurrë asnjë qeveri- arsimin publik, spitalin publik dhe televizionin publik.