Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Ferizajt, ku një burrë ka sulmuar me thikë katër persona që ishin kalimtarë të rastit. Plagosjet kanë ndodhur në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”, në rrethana që akoma nuk dihen.
Mësohet se i dyshuari është E.S, rreth 58 vjeçar. Të lënduar nga i dyshuari kanë mbetur dy vajza të mitura: M.M., 10 vjeçare; L.M., 15 vjeçare, si dhe shtetasit V.H., 29 vjeçar dhe N.M., 32 vjeçar.
Tre nga të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtejshëm, ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Emergjëncës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla.
Ai tha se gjendja e 10 vjeçares është më e rëndë, e cila do i nënshtrohet një operacioni.
Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Pas një pune intenzive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën “Riza Matoshi” në afërsi të qendrës tregtare “Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 58 vjeç, thuhet njoftimin e Policisë.
I dyshuari nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë thikë e cila dyshohet të jetë përdorur për sulmet.