Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

Qindra mijëra euro, apartamente dhe makina/ Nën hetim për trafik kokaine nga Amerika e Jugut për në Gjermani, sekuestrohet pasuria e dy personave

Prokuroria e Posaçme ka njoftuar sekuestrimin e pasurive të dy personave nën hetim për trafik lëndësh narkotike nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar Olsi Syziu dhe shtetasin nga Kosova Princ Dobroshi nën hetim nga autoritetet gjermane.

SPAK ka sekuestruar0 llogari bankare, një godinë në Gjirin e Lalëzit, dy apartamente te ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë dhe Liqeni i Thatë, një makinë dhe një shoqëri tregtare.

Njoftimi:

Në zbatim të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, të ndryshuar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin pasuror nr.5, datë 26.02.2024, në lidhje me pasuritë në zotërim të subjekteve Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe personave të lidhur me ta.

Subjekti i këtij procedimi pasuror Princ Dobroshi, shtetas i Republikës së Kosovës, aktualisht po hetohet nga autoritetet ligjzbatuese të Republikës Federale të Gjermanisë, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i paligjshëm i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të organizuar kriminal”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Federale të Gjermanisë, pasi gjatë vitit 2020, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë, nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani.

Gjithashtu nga burime të hapura, siç janë mediat online, si dhe informacioneve të partnerëve, rezultonte se Princ Dobroshi në vitin 1993, ishte kapur, dhe më pas ishte dënuar në Norvegji me 14 vjet burg për trafikim të heroinës.

Subjekti tjetër i këtij procedimi pasuror Olsi Syziu, shtetas i Republikës së Shqipërisë, aktualisht po hetohet nga autoritetet ligjzbatuese të Republikës Federale të Gjermanisë, për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike të një sasie të konsiderueshme”, si pjesëtar i një bande, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Federale të Gjermanisë, pasi gjatë vitit 2020 dhe më pas, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kishin planifikuar dhe kanë transportuar sasira të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojit kokainë nëpërmjet rrugës detare nga Amerika e Jugut për në Gjermani, si dhe ka shpërndarë lëndë narkotike në Gjermani.

Subjektet e hetimit pasuror kanë lidhje krushqie me njëri tjetrin, pasi Princ Dobroshi ka për grua motrën e subjektit Olsi Syziu.

Nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë bërë hetime në lidhje me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme prej subjekteve Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe personave të lidhur me ta.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.10, datë 27.02.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të subjekteve nën hetim pasuror Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu, si dhe të personave të lidhur me ta.

Në zbatim të urdhërit të ekzekutimit të datës 29.02.2024, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga oficerët e shërbimit të Policisë Gjyqësore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë, janë sekuestruar pasuritë e poshtëshënuara:

1. Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;

2. Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;

3. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

4. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

5. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;

6. Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.

7. Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button