Aktualitet/LajmeBotaKryesoreNdodhi

Trump, Putin dhe Xi miratuan një deklaratë të përbashkët në samitin historik

Presidentët Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping kanë bërë thirrje për forcimin e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar përgjegjësinë e përbashkët të fuqive të mëdha për ruajtjen e stabilitetit global. Mesazhi u dha në përfundim të samitit historik të zhvilluar në Shenzhen të Kinës, ku tre liderët u takuan për herë të parë në këtë format.
Takimi u mbyll me miratimin e një deklarate të përbashkët me katër pika, e publikuar nga mediat shtetërore kineze. Dokumenti prek tema që variojnë nga reforma e Organizatës së Kombeve të Bashkuara deri te siguria bërthamore dhe bashkëpunimi energjetik.
Sipas deklaratës, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, angazhohen për reforma në organizatën ndërkombëtare, me synimin që ajo të reagojë më efektivisht ndaj sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj kryesor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Një tjetër pikë e deklaratës parasheh rritjen e prodhimit dhe furnizimit me produkte të naftës, duke argumentuar se kjo do t’i shërbente zhvillimit ekonomik dhe interesave të të gjitha vendeve.
Tre liderët shprehën gjithashtu qëndrimin e tyre lidhur me Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke theksuar se institucioni nuk duhet të tejkalojë mandatin dhe kompetencat e tij.
Ndërkaq, pjesa më domethënëse e deklaratës lidhet me armët bërthamore, ku SHBA-ja, Kina dhe Rusia riafirmuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë.
Takimi u mbajt për herë të parë në këtë format, pa pjesëmarrjen e shteteve të Evropës. Ata të cilët kanë pritur ndonjë sinjal për përfundimin e luftës në Ukrainë apo Iran, mbeten të dëshpëruar, sepse publikisht nuk u tha asgjë për këtë. Por mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë sinjal pas takimit…

Artikuj të lidhur

Back to top button