BlogKryesoreKultureNdodhiOpinions

Rama-Veliaj shembën teatrin në Tiranë që Vendimi të mbledh plehrat në Vlorë

Nga Sebastian Zonja-

Vendim Kapaj, i cili mban dekoratën “Mjeshtër i Madh”, është instrumentisti që na bëri krenarë së fundmi me meloditë e tij me fyell që u bënë pjesë e filmit “Odiseja”. Vendimi është i shquar në gjithë Labërinë. Prej dekadash është lënë në harresë. Shet peshk apo punon për pastrim – gjelbërimin në qytetin bregdetar të Vlorës. Se fundmi, ai krenoi gjithë qeverinë shqiptare. Sihariqin e dha vetë ish-ministri i Kulturës Edi Rama. Rama shkroi sa krenar është për isopolifoninë. Pastaj, njëri pas tjetrit shkroi gjithë kabineti sa krenarë janë me Vendimin. Për shembull, kryeministri dhe ministrat nuk na thonë pse Vendimi mbledh mbeturinat në Vlorë, kur mund të ishte pjesë e Teatrit?
Teatri duhet që njerëz si Vendimi të edukojnë brezat që vijnë me kulturë, muzikë dhe traditë, të cilët na bëjnë krenarë nëpër botë. Nesër, nipërit e mbesat, duke shkuar sot në Teatër për të dëgjuar Vendimin, për të parë një dramë apo një ekspozitë pikturash, bëhen njerëz më të mirë, më të bukur, plot kulturë dhe ndërtojnë ura të forta më gjithë botën.
Teatri dhe arti na bën më guximtarë, ndërsa pushteti kërkon konformistë. Pak nga pak, trishtueshëm, jemi bërë shoqëri që nderon konformistët, ndërsa antikonformistët dhe ata që kërkojnë liri mendimi e shprehjeje i nderojmë vetëm kur s’i kemi më mes nesh.
Vendimi është modeli i munduar i rinisë vlonjate. Prej dekadash, ish-ministri i Kulturës Edi Rama i thotë rinisë vlonjate se modeli është skafisti, ai që mbjell e korr lëndë narkotike, që kërkon pasurim të shpejtë. Ndaj, për ta përhapur këtë model skafisti, Edi Rama ka mbyllur në Tiranë Teatrot, galeritë dhe vende të tjera që përdoren për shfaqje kulturore. Çdo ngjarje kulturore duhet të zhvillohet në Kryeministri. Aty çelen galeritë e pikturave, promovohen librat, jepen shfaqje, kënaqet publiku fin që sajdis kryeministri me ftesa. Ndaj jemi në këtë gjendje mjerane, në një moçal ku zhabave e bretkosave u duket vetja flamingo, mjelma e shqiponja. Ish-ministri i Kulturës Edi Rama ka vrarë çdo vatër kulturë në vend, duke favorizuar skafistët që ndërtojnë kulla e resorte në Tiranë, Vlorë, Shkodër apo Durrës. Mendoj se e kuptoni sa kriminale është shembja e Teatrit Kombëtar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Artikuj të lidhur

Back to top button