
Ka dalë nga shtypi libri më i ri i gazetarit dhe publicistit të njohur Nehat Islami, me titull “Gjarpri ilir lidh shekujt”, botim i ShB DRINI. Vepra sjell një përzgjedhje të reportazheve, intervistave, meditimeve dhe analizave të shkruara gjatë dekadave të ndryshme të veprimtarisë së autorit.
Fillimisht i konceptuar si një ribotim i zgjeruar i librit “Një adresë në Bukuresht,” ky projekt mori përmasa të reja gjatë procesit të përgatitjes dhe u shndërrua në një libër të ri, me identitet të veçantë dhe një korpus të pasur shkrimesh.
Titulli i librit është frymëzuar nga një shkrim kushtuar iliriologut Aleksandër Stipçeviq, ku simboli i gjarprit ilir shndërrohet në metaforë të vazhdimësisë historike dhe kulturore shqiptare. Pikërisht kjo ide përshkon tërë librin, në të cilin identiteti kombëtar, kujtesa historike dhe dialogu kulturor ndërthuren në një mozaik të pasur figurash, ngjarjesh dhe përvojash shqiptare e ndërkombëtare.
Në faqet e këtij botimi lexuesi do të gjejë portrete dhe shkrime kushtuar personaliteteve të njohura shqiptare dhe botërore, si Ibrahim Kodra, Viktor Eftimiu, Marije Kraja, Aleksandër Stipçeviq, Miroslav Kërlezha, Zhak Preveri, Naguib Mahfouz e shumë të tjerë. Përmes tyre, Nehat Islami dëshmon edhe një herë mjeshtërinë e tij në gazetarinë kulturore, duke ndërthurur faktin dokumentar me ndjeshmërinë letrare dhe reflektimin historik. Gazetari dhe krijuesi Avni Halimi, në shkrimin e vendosur në kopertinën e pasme të librit, e cilëson Nehat Islamin një nga emrat më përfaqësues të gazetarisë kulturore shqiptare, autor që i dha reportazhit shqiptar një dimension të veçantë estetik e dokumentar. Sipas tij, “Gjarpri ilir lidh shekujt” përfaqëson një dëshmi të misionit intelektual të autorit dhe një kontribut me të çmuar në trashëgiminë publicistike e kulturore shqiptare.
“Gjarpri ilir lidh shekujt” tejkalon kufijtë e publicistikës së zakonshme dhe shndërrohet në një dëshmi të rëndësishme të kujtesës kulturore shqiptare. Libri pritet të zërë një vend të rëndësishëm në bibliotekën e publicistikës shqiptare, duke u ofruar studiuesve dhe lexuesve një pasqyrë të gjerë të jetës kulturore, historike dhe shoqërore të shqiptarëve ndër vite.
Prej sot, “Gjarpri ilir lidh shekujt” ndodhet në shitje në libraritë e Prishtinës dhe online në faqen e ShB “DRINI”./
Ndersa ne vleresimin e vet per librin dhe autorin Nehat Islami, studiuesi dhe gazetari Avni Halimi shkruan:
Dëshmia mbi një mision intelektual
Në historinë e gazetarisë shqiptare, emri i Nehat Islamit zë një vend të veçantë, sidomos për modelin e gazetarit që ai ndërtoi: reporterin e kulturës, të maturisë dhe të kujtesës historike. Ai i dha gazetarisë shqiptare tonin e reportazhit modern, ku ngjarja nuk rrëfehet vetëm përmes faktit, por edhe përmes atmosferës, psikologjisë dhe detajit njerëzor. Pikërisht këtu qëndron edhe veçantia e stilit të tij gazetaresk: gjuha e qetë, elegante, pa retorikë të tepërt, me një ritëm narrativ që ngjan herë me prozën dokumentare e herë me ditarin intelektual. Ai nuk e dramatizon realitetin, por e lë atë të flasë vetë. Nehat Islami mbetet model për ta kuptuar se gazetaria, mbi të gjitha, është kulturë e përgjegjësisë publike. Këto vlera shfaqen në mënyrë të plotë edhe në librin “Gjarpri ilir lidh shekujt”, një vepër që përmbledh jo vetëm përvojën e gjatë profesionale të autorit, por edhe pasionin e tij për historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar. Përmes reportazheve, intervistave, portreteve dhe kronikave, autori sjell para lexuesit figura të shquara të botës shqiptare e arbëreshe, duke ruajtur me përkushtim kujtesën e tyre njerëzore dhe krijuese. Në këto faqe, fakti historik dhe vëzhgimi gazetaresk ndërthuren natyrshëm me ndjeshmërinë letrare, duke krijuar një rrëfim të pasur e të besueshëm për kohën dhe njerëzit. Libri ka vlerën e një arkivi të gjallë kulturor, ku dëshmia dokumentare fiton dimension artistik, ndërsa kujtesa kolektive shpëton nga harresa. “Gjarpri ilir lidh shekujt” është një dëshmi e rëndësishme e misionit intelektual të Nehat Islamit dhe një kontribut i çmuar në trashëgiminë publicistike e kulturore shqiptare.



