BlogBotaKryesoreOpinionsRajoni

Rikompozimi gjeopolitik dhe prirja e multilateralizmit global

Nga Aleksandër Çipa-

Hallakatja nëpër pohime dhe kundërpohime për marrëveshje dhe mosmarrëveshje mes SHBA dhe Iranit, po krijon përditë e më tepër nevojën e autoritetit dhe kontributit të institucionalizmit ndërkombëtar, pra OKB-së. Eklipsimi i autoritetit ndërhyrës të tyre kanë krijuar një aspekt tjetër të krizës tronditëse gjeopolitike që përjeton bota.

Ngushtica e Hormuzit/Foto nga VCG

Pritja dhe ditët si në “legjendën e murimit”  për një marrëveshje finale të vështirë negociuar dhe që mbart mënyrën më komplekse të negocimit, pas një konflikti kaq tronditës, me ndikime dhe ndërlikime globale, sikundër është ai mes SHBA dhe Iranit, ka shumëfishuar pasojat në rrjetin kryesor të institucionalizmit global.

Kjo nyje, nga më krucialet në historinë dhe aktualitetin global, ka lidhje strukturore me arkitekturën gjeopolitike të kohës që pason të sotmen dhe me nevojën rishqyrtuese të arkitekturës institucionale.

Negociatat SHBA-Iran, janë negociata të vështira, të paqëndrueshme nga kapitulli në kapitull dhe nga çështja tek çështja. “Nyja gordiane” e tyre ka të bëjë me negocimin e programit bërthamor iranian dhe uraniumin, por jo vetëm kaq, më shumë se aq.

Në vetvete, kjo çështje është e lidhur thelbësisht me realitetin e ri diplomatik dhe strategjik në arenën ndërkombëtare. Kjo është një përballje sistemesh dhe sidomos rigrupimesh të reja botërore, të cilat janë ende në proces strukturues.

Kriza e konfliktit, por sidomos subjekti kohëgjatë i takimeve dhe dialogimeve për marrëveshjen e vështirë, jo vetëm kanë ndikuar por ende përcaktojnë drejtpërdrejtë mënyrën se si do të riformatohet dhe strukturohet udhëheqësimi ndërkombëtar në botë, si do të krijohen balanca rajonale dhe si dhe cili do të jetë raporti mes fuqive të mëdha. Në këtë aspekt diplomacia e Kinës, po shfaqet aktive. Në një mënyrë kaq të drejtpërdrejtë e shpreh këtë kredo politike dhe diplomatike ministri i Jashtëm i Kinës Wang, në një debat të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: “Mes trazirave dhe ndryshimeve ndërkombëtare, Kina e mban lart flamurin e saj,..” Ndërkohë që rideklaron se mes konflikteve të shpeshta globale, vendi i tij promovon paqen dhe inkurajon bisedimet.

Njëkohësisht në takime dhe vizita të shtuara diplomatike të këtij dhjetëditëshi të fundit, ministrit kinez Wang  këmbëngul se vendi i tij praktikon mënyrën e vet unike të zgjidhjes së çështjeve të nxehta. Sipas tij, Kina po institucionalizon partneritete të posaçme, sikundër janë: Grupi i Miqve për Paqen për krizën e Ukrainës në platformën e OKB-së, iniciativa për Organizatën Ndërkombëtare për Ndërmjetësim dhe Organizatën Botërore të të Dhënave, apo propozimi për krijimin e Organizatës Botërore të Bashkëpunimit për Inteligjencën Artificiale  etj.

Nën filozofinë e multilateralizmit, ajo po investon imazhin e një vendi që dëshmon vullnetin për evoluimit të arkitekturës së institucionalizmit ndërkombëtar global.

Në këtë kontekst, sikundër konstatojnë gjithë aktorët gjeopolitikë, struktura e  institucionalizmit dhe lidershipit global po shfaq disa karakteristika të reja. Kryesisht për shkak të ndryshimit të vetë platformës dhe natyrës së sjelljes së fuqisë së madhe, pra SHBA-së, por sidomos edhe për efekt prej dobësimit relativ të kësaj hegjemonie në raportet e reja gjeopolitike, realiteti global ofron panoramë të re.

kryeministri i Pakistanit Ishaq Dar/Foto nga VCG

Negociatat sfidante me Iranin, tregojnë kufizimet e ndikimit unilateral amerikan. Pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe rikthimit të sanksioneve, besueshmëria diplomatike amerikane është në luhatje nga disa aktorë ndërkombëtarë. Kjo ka bërë që vendet rivale dhe aleate të SHBA-së të ndjekin politika më autonome. Bashkimi Europian kërkon të ruajë stabilitetin energjetik dhe diplomatik, ndërsa vendet e Gjirit Persik po përpiqen të balancojnë marrëdhëniet mes Uashingtonit, Pekinit dhe Teheranit. Role të tjera kanë hyrë në skenë dhe pesha specifike e veprimit dhe ndikimit të tyre është e pashpamngshme dhe imponuese në disa aspekte.

Të gjitha këto realitete dhe proceset e lidhura, janë dëshmi se sistemi ndërkombëtar po lëviz gradualisht drejt një strukture multipolare, ku fuqitë e mëdha ndajnë zonat e influencës dhe ndikimit.

Ndërsa në tërësinë e panoramës komplekse diplomatike spikat edhe lindja e diplomacisë së ndërmjetme. Qartazi po ngjet fuqizimi i shteteve ndërmjetëse si Katari, Turqia, Omani dhe Pakistani. Këto vende po luajnë rol aktiv në negociata dhe ndërmjetësime rajonale, duke fituar peshë politike përtej kapaciteteve të tyre tradicionale.

Në rastin SHBA–Iran, Omani ka qenë një urë e rëndësishme komunikimi, ndërsa Turqia dhe

Pakistani kanë ndikuar në uljen e tensioneve rajonale.

Ky zhvillim tregon se rendi global nuk dominohet më vetëm nga superfuqitë, por edhe nga aktorë rajonalë që zotërojnë aftësi diplomatike dhe strategjike.

Realiteti politik global shpërfaq lindjen e një rendi më të paqëndrueshëm. Jo vetëm disa shtete, por rajone të veçanta  mbesin në gjendje pasigurie. Pikërisht kjo pasiguri, po e transformon mënyrën sesi shtetet ndërtojnë aleanca. Vendet po investojnë më shumë në sigurinë kombëtare, teknologjinë ushtarake dhe partneritetet fleksibël, sesa në aleanca afatgjata tradicionale.

Në këtë realitet të ri, lidershipi global praktikisht nuk përfaqësohet më nga një hegjemoni absolute, por nga konkurrenca të vazhdueshme mes disa qendrave të fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake. Për këtë arsye synimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe vetë sistemi tradicional ndërkombëtar gjenden në rrethana ekzistenciale.

Ristrukturimi, rikonceptimi dhe vijimësia funksionale e tyre në botën e ndryshuar janë domosdoshmëri, pa të cilën tornadot apo stuhitë gjeopolitike në raportet mes fuqive dhe rajoneve do të shtojnë herë pas herë jo vetëm dilemat, por dramatikisht edhe vatra luftërash dhe përplasjesh sizmike për njerëzimin dhe botën tonë në këtë rruzull.

 

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button