
Nga Ervin Nezha-
Hapja e pretencës ndaj komandantëve të UÇK, me fjalët, “Nē emër të popullit të Kosovës”, lexuar nga kryegjyqtari Smith, ishte si tē dëgjoje pretencat e gjyqeve të Aranit Çelës dhe Rrapi Minos. Çka tregon, se gjyqet politike, qofshin komuniste, qofshin fashiste, qofshin të pavarura, nuk kanë ndonjë dallim të madh po i shërbyen politikës. Vendimet e tyre maskohen pas fjalës boshe dhe abstrakte “popull”.
Të dënosh katër çlirimtarë në emër të popullit që çliruan është jo vetëm poshtërsi por edhe krim.
Në veprën monumentale Lufta dhe Paqja, Leon Tolstoi shkruan se morali në luftë është prestigj i atyre që jetojnê në paqe. Çka do të thotë se lufta nuk është një ngjarje romantike, ku duelet janë kalorsiake, dhe damat hedhin lule nga ballkoni. Lufta, sidomos ajo e imponuara, kur të troket te dera, është e pashmangshme. Ajo i ngjan ortekut që zbret nga mali dhe merr me vete çfarë gjen para. Nuk ka ndonjë komandant në historinë botërore të luftrave, që të ketë dalë aq i pastër sa ç’ hyri në luftë.
Dhe të trajtosh komandantët e UÇK, me të njëjtin metër që trajton Millosheviçin dhe shpurën e kriminelëve serbë, që i lanë arat dhe livadhet e Kosovës me gjak është së pari hipokrizi, masandaj poshtërsi.
Imagjinoni sikur pas gjyqit të Nurembergut, ku u dënuan kriminelët nazistë, të ngrihej një gjykatë ku të dënoheshin gjeneralët aleatë për krime lufte.
T’u lexoje pretencën Zhukovit, Roskovskit, Eizenhaurit, Patonit, Montgomerit që, mirë ajo lufta juaj qe e nevojshme, por ushtritë tuaja bënë ca krime në Poloni, Berlin, Pragë gjatë mësymjes.
Ka një ligj në histori, që thotë se çdo ngjarje, e gjykuar në një kohë universale, të çon përherë në analiza të gabuara, rrjedhimisht tek e pavërteta. Për fat të keq, gjykata speciale, e gjykoi veprimtarinë e këtyre njerëzve, mbi bazë të një kohe universale.
Për shembull njëra akuzë qe , …”keni bërë ndalime dhe shoqërime të paligjshme”. E thënë sot në kohë paqeje, kjo duket e tmerrshme, një krim monstruoz. Por në kohë lufte, zonat e influencës janë gjëja më normale. Janë A, gërma e parë e vendosjes së rendit. Si mund të lejosh të kalojnë serbes në zonën tënde të influencês, njerëz të dyshimtë, pa letërnjoftim.
Apo tjetra, se kishin marrë njerëz nê pyetje, përmes torturës. Më fal, dini gjë ju, nëse ka ndonjë shesh beteje apo front, ku të marrin në pyetje me psikolog ?
Ndërsa akuza tjetër, se kishin mbajtur rrobat e UÇK, pa lejen e shtetit Serb, përligjte vërtet dënimin në… Emër të Popullit të Kosovës.



