BlogEditorialKryesoreOpinions

Sot, këtu vdes lajmi

Nga Frrok Çupi-

Mu bë si të isha në atë cep rruge. Mu bë se nuk merrja dot frymë, kërkoja të më bëhej natë, të mos shikoja gjë. Sapo lexova titullin e lajmit se makina ka goditur për vdekje një fëmijë 7 vjeçar në mes të Elbasanit e Librazhdit. Sapo më pushtoi pamja e fëmijës shtatë vjeç.
Erdha rrotull nëpër tituj lajmesh, por nuk ndalova dot më këtu. Nuk kam për ta hapur kurrë këtë lajm. Ajo çfarë ndodhi nuk mund të njoftohej me lajm. Lajmëtari për fëmijët, edhe në lashtësi, nuk lëshonte zë nga mali më mal. Për fëmijën, në fëmijërinë time e në vendin tim, vinin gjakojnët e kishës dhe trokisnin lehtë në derë: ‘ka ndodhur një gjëmë’.
Po ta hap lajmin, më bëhet se po e ndih që të ndodhë.
Po, kishte ndodhur. Në mes të dy botëve, mes dy kohëve, mes dy moshave. Vetëm një sekondë i duhej që t’i kapërcente të gjitha.
Ishte edhe vetëm një sekondë për të shkuar ora tetë; kjo ishte koha kur ndodhi. Në atë sekondë mësuesi do t’i thërriste në klasë, niste mësimi për sot. Pas atij mësimi nuk do të kishte më përplasje me vdekje. Por ai s’e kapërceu dot sekondën për të cilën po rritej.
Fëmija shtatë vjeç ishte akoma në botën e engjëjve; kjo ishte bota kur ndodhi. Rruga e zhurmshme turfulluese e makinave mund të merrej si rruga nga ku po vinte dhe po hynte për në këtë botë. Kjo botë ‘virane’, e zhurmshme, e egër, e dhunshme, e pamëshirshme. Ajo bota nga vinte djaloshi ishte akoma botë e engjëjve.
Pse nuk e mbajti dot e ëma në duar? Sepse ai në atë sekondë hyri në botën tonë të tmerrshme. Ja ku jemi ne. Ne nuk ruajmë dot engjëj. Ne nuk e dimë ku është filli i sekondës mes asaj botë dhe kësaj të tmerrshme. Ne kemi shtet, kemi ushtri, kemi polici, kemi NATO, OKB, BE, kemi hekur e beton. Por me to nuk mbrojmë dot fillin e hollë të engjëjve.
Edhe në shkollat e Tiranës, policët janë më shumë problem se sa zgjidhje. Një tufë prej dy lloj policish kashaisen me njëri tjetrin, bërtasin, ulërijnë, por fëmijët kalojnë përmes rrota makinash dhe biçikletash. Mandej para shkollës së fshatit nuk ka policë, asnjë. Mandej nuk ka asgjë. Sot duhet të ishte gjithë ushtria në atë rrugë. Sot duhej të ndalte fryma.
Nuk kemi akoma botë…, e di çfarë do të thotë ‘botë’.
E jo më moshë. Moshën nuk e çmojmë.
Pse ai djalosh engjëll nuk e kapërceu dot moshën e tij? As dy fëmijët në Durrës para dy javësh, nuk e kaluan moshën e tyre. Mund të thuash se ‘ai krimineli që i shtypi me makinë’, mund të marrësh gjithë makinat e rrugës dhe t’i mbyllësh në qeli… Po çfarë pas kësaj? Thjesht do të hapësh rrugën për një vrasës tjetër që po vjen pas atij që sapo shkoi. Të duket se në rrugët tona presin radhën ‘gjëmë- bërësit’. Ulërijmë shumë sepse s’kemi çfarë themi. Nxitojmë shumë sepse nuk kemi ku shkojmë. Shkelim mbi engjëj sepse provojmë makinën e re. Bëjmë më të keqen, sepse nuk dimë ç’është e mira. Më në fund u kemi dhënë makina në duar.
Shteti ka inventarin e makinave, por jo të njerëzve…
Nuk munda ta lexoj atë lajm sot, veçse pashë titullin. Kurrë nuk i kam lexuar as do t’i lexoj këto lajme. Jo vetëm pse më merret fryma, por sepse më duket se po e ndih të keqen të ndodhë me engjëjt. Sjellja më e mirë, sjellja e gjakojve. Ata trokasin lehtë, pa zë të lartë. Që të mos zgjohen ata.

Artikuj të lidhur

Back to top button