
Nga Luan Rama-
Koço Kosta që prej kur u shfaq në letërsinë shqipe me librin e tij të parë “Në rrugë” (1967) dhe përgjatë gjithë rrugëtimit të vet si shkrimtar, qe dhe mbetet një nga shkrimtarët shqiptarë më të veçantë dhe sfidues të letërsisë shqipe, një krijues që zgjodhi lirinë e krijimit përpara disiplinës ideologjike që impononte realizmi socialist. Shkrimtar i një dimensioni të veçantë, ai refuzoi me veprën e vet të vendosej në rresht, duke mbetur “në rrugë” e duke paguar kësisoj kostot e të qenit shkrimtari i letërsisë së pabindur.
Koço Kosta nuk u bë kurrë shkrimtar i propagandës dhe vepra e tij na vjen si dëshmi e mosbindjes artistike ku njeriu dhe e vërteta e tij psikologjike qëndrojnë mbi çdo skemë të paracaktuar estetike.
Kjo pabindje nuk ishte thjesht një qëndrim tematik, por një strukturë e thellë formale që shpërthente përmes një rrëfimi të thyer dhe polifonik.
Koço Kosta shmangu vetëdijshëm linearitetin e thjeshtë kronologjik, duke na dhënë një vepër ku zërat, kohët dhe dëshmitë ndërthuren në mënyrë organike.
Personazhet e tij lëvizin “në teh të briskut”, duke prekur tabu të mëdha të kohës si erotizmi, ankthi dhe vetmia, të cilat censura zyrtare përpiqej t’i zhdukte nga vetëdija publike.
Mbi gjithçka tjetër, vepra e tij është e ndërtuar me një gjuhë brilante, të pasur dhe thellësisht organike, e cila nuk njeh artifice apo sforcim akademik.
Gjuha e Koço Kostës rrjedh me një natyrshmëri mahnitëse, e mbarsur me leksikun e gjallë të truallit dhe peizazhit të Jugut, duke i dhënë veprës një vitalitet të jashtëzakonshëm.
Përmes kësaj shqipeje të pastër dhe të larmishme, ai arriti të krijonte një trashëgimi letrare që nuk i bindet kohës, duke u konfirmuar si shkrimtari që mbrojti dinjitetin e fjalës së lirë në ditët më të vështira të saj.
Në këtë 85-vjetor të lindjes, Koço Kostës i takon mbi të gjitha mirënjohja e lexuesve dhe e vetë letërsisë shqipe.
Ndaj, nëse sot autoritetet shtetërore apo drejtuesit injorantë të institucioneve kulturore nuk janë kujtuar ta nderojnë siç meriton, Koço Kosta nuk ka pse të ndjehet i lënduar. Vepra e tij ka qenë gjithnjë në luftë me mediokritetin, konformizmin dhe padijen e atyre që zakonisht administrojnë kulturën pa arritur kurrë ta kuptojnë atë. Pikërisht për këtë arsye, letërsia e tij mbetet ende e gjallë, sfiduese dhe e lirë, si vetë shkrimtari që e krijoi.
Të paçim jetëgjatë, Koço Kosta, dhe me të tjera vepra në lartësinë e emrit tënd!



