
Zbardhet e plotë dosja e rrëmbimit të Florian Sulës. Sipas prokurorisë, ai u rrëmbye nga Hysen Neza, Jurgen Neza dhe Kevin Neza, të cilët, teksa e dhunuan, i kërkuan një shumë monetare në kriptomonedha në një portofol digjital të huaj.
Po çfarë i “tradhtoi” vëllezërit Neza dhe kushëririn e tyre? Cilat janë provat kundër tyre? Përse refuzuan të japin shpjegime për hetuesit? Më poshtë detajet e plota.
Dëshmia e Sulës
Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është paraqitur Florjan Sula, i cili ka shpjeguar se: më datë 31.03.2026 ka shkuar te palestra “Angels”, që ndodhet në “Rrugën e Kavajës”. Ai shpjegon se, rreth orës 20:40, kur ka zbritur në katin e parë, ku ndodhet një bar-kafe, i kanë dalë para tre persona të veshur me kostume sportive me ngjyrë të zezë. Sipas tij, dy prej tyre kishin vendosur maska dhe kapele, ndërsa njëri kishte vetëm kapele.
Florjani shpjegon se dy personat që ishin të maskuar ishin të moshës rreth 20-30 vjeç, ndërsa personi që nuk ishte i maskuar ishte i moshës 35-36 vjeç. Ai shpjegon se, në momentin që personat e sipërcituar e kanë ndaluar, e kanë thirrur me emër dhe mbiemër, janë prezantuar si punonjës të BKH-së dhe i kanë kërkuar të shkojë me ta. Dy prej tyre i kanë futur krahun duke e drejtuar drejt daljes. Florjani i ka pyetur përse duhet të shoqërohet dhe personi që ishte pa maskë i ka thënë se do ta sqaronin në komisariat.
Pas kësaj, Florjanin e kanë hipur në një automjet të markës “Mercedes Benz”, tip “C Class”, me ngjyrë gri, me targa angleze dhe timon në krahun e djathtë. Automjeti ishte i parkuar në afërsi të trotuarit dhe Florjani ka hipur nga dera e pasme e automjetit, me dy personat me maska që qëndronin në dy krahët e tij dhe personin pa maskë që drejtonte automjetin.
Florjani shpjegon se, sapo automjeti ka filluar të lëvizë në drejtim të “Pallatit me Shigjeta”, personat e maskuar i kanë ulur kokën midis gjunjëve dhe, pas kësaj, ai nuk ka qenë në gjendje të shohë drejtimin e lëvizjes.
Më datë 10.04.2026 në polici është bërë këqyrja e pjesshme e aparatit telefonik të shtetasit Florjan Sula, ku, me interes për hetimin, është këqyrur aplikacioni “WhatsApp”, konkretisht biseda me numrin telefonik +573156838326, i regjistruar me emrin “medelin”, ku ndër të tjera i kërkohet të paguajë një shumë monetare në kriptomonedha në një portofol digjital të huaj, në të cilën nuk përmendet shuma.
Momenti i rrëmbimit
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë ndihmuan hetuesit të identifikonin personat e dyshuar për rrëmbimin e Sulës. Përmes tyre u rindërtua i gjithë itinerari i ndjekur, automjetet e përdorura, si dhe magazina në Durrës ku u mbajt peng Sula.
Kështu: më datë 11.04.2026 është bërë këqyrja e pamjeve filmike, ku ka rezultuar:
Nga këqyrja e pamjeve filmike të marra në subjektin privat parkim “B…”, i cili ndodhet në katin -1 të kompleksit të pallateve “S…”, në rrugën e “Kavajës”, shihet se më datë 24.03.2026, ora në pajisjen regjistruese shënon 15:39:41, në ambientet e këtij parkimi hyn një automjet tip “Mercedes Benz”, model “C Class”, me ngjyrë gri dhe me targë në dukje “YB10 LPA”, me ngjyrë të bardhë përpara. Ky automjet në vijim parkohet në një vend parkimi të këtij subjekti.
Vërehet se targa e pasme e automjetit është me ngjyrë të verdhë, xhamat janë të errësuar dhe disqet janë me ngjyrë gri me 7 ndarje. Në orën 15:43:06 nga ky automjet zbret një person i seksit mashkull, i veshur me rroba të errëta, i cili është identifikuar më vonë si shtetasi Hysen Neza.
Në orën 15:43:59 në ambientet e këtij subjekti vjen një mjet tip “BMW”, model “X6”, me ngjyrë të bardhë dhe me targa në dukje “JN777ZZ”. Ky automjet afrohet dhe parkon pranë automjetit “Mercedes Benz” model “C Class” me targa “YB10 LPA”, nga i cili zbresin dy shtetas që takohen me shtetasin Hysen Neza.
Personi i veshur me tuta sportive të errëta me shirit të bardhë në pjesën anësore, atlete të errëta dhe bluzë sportive është identifikuar si shtetasi Jurgen Neza, ndërsa personi tjetër, i veshur me rroba të errëta dhe atlete të errëta, është identifikuar si shtetasi Kevin Neza. Këta tre shtetas së bashku lëvizin në drejtim të daljes së parkimit drejt hyrjes së shkallës.
Nga data 24.03.2026 deri më datë 31.03.2026, nga këqyrja e pamjeve filmike në lavazh “B…”, automjeti me targë “YB10 LPA”, i markës “Mercedes Benz”, nuk ka lëvizur nga vendi i parkimit.
Më datë 31.03.2026, në orën 18:53:16, vërehet se në ambientet e parkimit futet një automjet tip “Mercedes Benz”, model “CLS Brabus”, me ngjyrë gri dhe me targa “AA111SM”. Nga ky automjet zbresin tre persona, të cilët qëndrojnë pranë tij.
Në orën 19:43:17, dy prej këtyre personave afrohen pranë automjetit “Mercedes Benz” model “C Class” me targë “YB10 LPA”. Personat janë të veshur me tuta sportive të errëta dhe atlete të errëta.
Në orën 19:47:52 afrohet edhe personi i tretë dhe mjetit i ndizen dritat e pozicionimit. Ky person, i identifikuar si Kevin Neza, ka të veshur tuta sportive të errëta, xhup të errët me kapuç dhe atlete të errëta.
Më pas, Hysen Neza hipën në vendin e parë të pasagjerit, Jurgen Neza në vendin e shoferit, ndërsa Kevin Neza në sediljen e pasme. Në orën 19:50:42 automjeti largohet nga vendi i parkimit.
Nga pamjet filmike shihet se shtetasi Florjan Sula del nga ambientet e palestrës, ndërsa tre shtetasit i afrohen, e ndalojnë dhe, pasi i prezantohen si punonjës policie, e fusin në automjet dhe largohen në drejtim të “Pallatit me Shigjeta”.
Si u tradhtuan të dyshuarit
Identifikimi i këtyre shtetasve u bë i mundur nga verifikimi i targës së personalizuar “JN777ZZ”, e cila rezulton në pronësi të shtetasit Hysen Neza.
Në aplikacionin “TikTok”, në profilin “JN777ZZ”, konstatohet një automjet i markës “Range Rover” me targë “AB535RY”, që rezulton në pronësi të shtetasit Jurgen Neza. Gjithashtu, nga burime konfidenciale u mësua se bashkëpunëtori i tretë është shtetasi Kevin Neza.
Në vijim, nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” u telefonua numri +573156838326, nga ku rezultoi se ky numër i përkiste njërit prej telefonave të shtetasit Hysen Neza, konkretisht një “iPhone 14 Pro Max”.
Nga kontrolli i banesës së shtetasit Jurgen Neza u gjetën dhe sekuestruan një palë atlete të markës “Nike” me mbishkrimin “AirMax”, të ngjashme me ato të përdorura ditën e ngjarjes.
Gjithashtu u ushtrua kontroll në një magazinë në fshatin Vëllazërim, komuna Sukth, ku u gjetën automjete që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen, si dhe u sekuestrua DVR-ja me pamje filmike.
Kevin dhe Hysen Neza deklaruan se janë në gjendje të mirë psikologjike dhe emocionale dhe do të japin shpjegime në një fazë tjetër të hetimit.
Të dyshuar:
Hysen Neza
Jurgen Neza
Kevin Neza
Akuza:
“Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, kryer në bashkëpunim.



