Nga Rudi Erebara-
Sot u njoha me një lajm që në fillim dukej si gabim në titrat e një emisioni. Por jo. Ishte serioz.
Sipas deklarimit publik, veprat e autorëve shqiptarë do të publikohen kudo në botë dhe falas nga RTSH.
Falas?
Për kë?
Sepse për autorët nuk është falas. Për autorët është punë, jetë, sakrificë dhe e drejtë ligjore.
Në fillim mendova: ndoshta është një lapsus. Por kur dëgjova “ekspertin” të shpjegonte me bindje se veprat e autorëve do të shpërndahen lirisht, e kuptova që nuk ishte gabim. Ishte një ide e menduar.
Por lind një pyetje shumë e thjeshtë:
Kush ua dha të drejtën?
Në fund të fundit mund ta shpërndash kur është e jotja.
Por kur nuk është e jotja?
Nga një verifikim i thjeshtë rezulton se kanali përkatës në YouTube gjeneron të ardhura. Shpresojmë sinqerisht që këto të ardhura të kenë përfunduar në Thesarin e Shtetit, sepse është i vetmi vend ku autorët mund të kërkojnë më pas shpërblimin e tyre ligjor.
Ndërkohë, sot gjatë ditës, shumë autorë më telefonuan.
Jo me zë të lartë.
Me një zë të ulët dhe të trishtuar.
Fjala e tyre ishte e thjeshtë:
“Mirë që nuk po na paguajnë… por të paktën të mos fitojnë para me veprat tona.”
Kjo nuk është vetëm një padrejtësi morale.
Kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit për të drejtën e autorit.
Për këtë arsye, sot së bashku me autorët dhe krijuesit shqiptarë, F.A.A.D i bën thirrje ndërgjegjes së RTSH:
Ndaloni menjëherë këto veprime që bien ndesh me ligjin dhe me respektin minimal që i detyroheni krijuesve të këtij vendi.
Dhe për të gjithë ju autorë, regjisorë, kompozitorë, aktorë, skenaristë, drejtor fotografie krijues dhe trashegimtare te ketyre veprave:
Publikojeni këtë deklaratë.
Ndajeni.
Mos heshtni.
Sepse kur një vepër merret pa leje, nuk quhet promovim.
Quhet shfrytëzim.



