
Për ty që më quan propagandist sepse si prind kërkoj të mbroj interesin e fëmijëve dhe flas për rëndësinë e familjes.
Për ty beqaren antifamilje dhe pro manipulimit të fëmijëve nëpër shkolla, që e bën këtë rol me një lehtësi që të habit sikur interesi i minorenëve të ishte mjet përfitimi e marketingu dhe jo pozicionim etik.
Unë nuk jam propagandist.
Jam artist.
Arti kur është i vërtetë nuk i shërben pushtetit, as sekteve perverse, por jetës.
Propagandist është fjalë e rëndë për mua dhe duhet trajtuar me kujdes sepse propaganda nuk matet nga bindjet morale, por nga marrëdhënia me pushtetin, me sektet të cilave i shërben ti për bukën e gojës dhe nga përdorimi i llapaqenërisë nëpër televizione për të fshehur të vërtetën.
Kam një jetë artisti, si muzikant dhe piktor mbi të gjitha, hapësira që nuk kërkojnë leje nga askush për të ekzistuar. Vepra ime nuk është prodhuar për të fituar pëlqime, nuk i shërbeu asnjë partie dhe asnjë pushteti. Vepra ime është dëshmi të këtij realiteti në të cilin jetojmë.
Nëse sot do të heshtja përgjithmonë, trashëgimia që do lija pas me gjithë ekspozitat në çdo kontinent, nuk do të ishte vetëm arkivi i punës sime, por “legacy” që do vazhdojë.
Trashëgimia ime më e rëndësishme janë dy fëmijë të edukuar që krijojnë, mendojnë dhe veprojnë të lirë në skenën ndërkombëtare. Kjo do të thotë që unë e dashur militante e perversit nuk lë thjesht trashëgimi biologjike, por mbi të gjitha vazhdimësi kulturore.
Ky është bilanci im publik.
Kjo nuk është retorikë. Është fakt.
Arti nuk ka për detyrë të jetë i këndshëm. As të jetë në modë. Detyra ime si artist është të dëshmojë duke marrë parasysh çdo kosto në kurrizin tim. Dhe unë dëshmoj dhe denoncoj një shoqëri që nuk ka nevojë për fëmijë, që i redukton fëmijët në pengesë ideologjike në mall dhe potencialishtë klientë të perjetshëm të produkteve të manipuluesve gjenetikë.
Të jesh pro fëmijëve nuk është propagandë, është pro jetës. Është një pozicion etik elementar.
Çdo shoqëri riprodhon veten biologjikisht, por edhe shpirtërisht. Kur këto të vërteta trajtohen si krim mendimi, atëherë problemi nuk është tek artisti që flet, por tek klima që i qep gojën artistit.
Mos i trajtoni fëmijët si projekt politik. Ata janë arsyeja pse çdo shoqëri ose vazhdon të ekzistojë, ose zhduket.
Një gjallesë që mbyll ciklin e saj pa fëmije dhe pa familje kurrë nuk do kuptojë që sjellja e një fëmijë në jetë nuk është vetëm akt biologjik. Është një zhvendosje e brendshme. Lind një formë e re dashurie që nuk kërkon shpërblim dhe nuk negocion. Kjo dashuri e riformëson dhe e bën magjepsëse gruan.
Kjo nuk do të thotë se çdo grua duhet të bëhet nënë për të pasur vlerë. Vlera njerëzore nuk kushtëzohet. Por është e pandershme të mohohet amësia që kur ndodh është një nga përvojat më transformuese morale dhe shpirtërore që një njeri mund të përjetojë.
Këtë letër të hapur nuk po e shkruaj për të bindur një propagandiste të paguar me mbijetesë.
Po e shkruaj për të vendosur një vijë midis artit që i shërben jetës dhe propagandês që i shërben sekteve perverse dhe pushtetit.
Pa asnjë pikë respekti.
Nga një artist që ende beson se disa gjëra nuk janë për t’u negociuar.



