Aktualitet/LajmeBotaKryesoreNdodhiRajoni

Skandal i madh në Spitalin Universitar të Cyrihut – nën udhëheqjen e një kirurgu italian vdiqën mbi 70 pacientë

Një raport tregon shkelje të rënda nga ish-shefi i klinikës së kardiokirurgjisë. Spitali i bën thirrje drejtësisë të veprojë dhe u kërkon falje familjeve dhe pacientëve. Raporti thekson se klinika tani gëzon reputacion të shkëlqyeshëm – falë punës së kardiokirurgut shqiptar Omer Xhemali. Ai ka marrë drejtimin e saj në fund të vitit 2022.

Klinika e kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar të Zürichut gëzon sot një reputacion të shkëlqyeshëm falë profesionalizimit dhe angazhimit nga mjeku shqiptar Omer Xhemali, pas një faze të vështirë që tronditi një nga qendrat më të rëndësishme të zemrës në Zvicër dhe në Evropë, njoftojnë mediat zvicerane.

Për vite me radhë, spitali kishte deklaruar se gjatë drejtimit të klinikës së kardiokirurgjisë nga mjeku italian Francesco Maisano nuk kishte pasur pacientë të dëmtuar. Por një raport i ri, voluminoz dhe i detajuar, i publikuar të martën, ka përmbysur plotësisht këtë pretendim, duke zbuluar mangësi serioze dhe pasoja të rënda për pacientët.

Maisano drejtoi klinikën nga viti 2014 deri në verën e vitit 2020. Në fund të vitit 2019, një mjeku ngriti akuza të rënda ndaj Maisanos, duke pretenduar se pacientët ishin në rrezik dhe se po testoheshin implante të zhvilluara nga vetë Maisano pa transparencë të plotë, ndërsa komplikacionet nuk raportoheshin siç duhej. Gjithashtu, u ngritën dyshime për konflikt interesi, pasi Maisano kishte aksione në kompanitë prodhuese të këtyre implanteve.

Afera u bë publike në maj 2020 nga media zvicerane, ndërsa më pas Maisano u largua nga spitali në vjeshtën e atij viti. Në të njëjtën kohë, u shkarkua edhe sinjalizuesi i skandalit – dhe ky vendim shkaktoi kritika të shumta.

Pas polemikave dhe hetimeve të ndryshme, në vitin 2024 u krijua një task-forcë e posaçme për të analizuar thellësisht rastin. Raporti përfundimtar, me 216 faqe, paraqet një tablo shqetësuese për periudhën 2016-2020, duke evidentuar “mangësi dhe shkelje serioze” në klinikë. Përgjegjësia nuk i atribuohet vetëm Maisanos, por edhe ish-drejtorit të spitalit dhe bordit drejtues të asaj kohe.

Sipas raportit, nga rreth 4500 operacione të kryera gjatë kësaj periudhe, është konstatuar një mbivdekshmëri statistikore prej 68 deri në 74 pacientësh. Kjo do të thotë se në kushte standarde, në një klinikë tjetër të krahasueshme në Zvicër, mbi 70 pacientë do të kishin mbijetuar, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. Nga 307 raste vdekjesh të analizuara në detaje, 11 konsiderohen si të papritura dhe 64 të tjera si “me gjasë të shmangshme”.

Një tjetër aspekt kritik lidhet me përdorimin e implanteve të zhvilluara nga vetë Maisano. Në 59 raste ato janë përdorur tek pacientët, ndërsa në 13 prej tyre është konstatuar se ndërhyrja nuk ishte e përshtatshme dhe një operacion tradicional do të kishte sjellë rezultate më të mira.

Si pasojë, bordi i spitalit ka vendosur të raportojë 24 raste në Prokurorinë e Zürichut, për të hetuar më tej përgjegjësitë penale dhe për të sqaruar nëse interesat ekonomike kanë ndikuar në vendimmarrje.

Drejtuesit aktualë të spitalit kanë kërkuar falje publike ndaj pacientëve dhe familjarëve të prekur. Ata kanë njoftuar për krijimin e një qendre të posaçme për informim dhe mbështetje.

Megjithatë, sipas drejtuesve aktualë, klinika ka hyrë tashmë në një fazë të re. Nën drejtimin e profesorit Omer Xhemali klinika ka rikthyer standardet e larta profesionale dhe besimin e publikut.

Ajo përmbush sërish kërkesat e një qendre ndërkombëtare të nivelit të lartë, si në aspektin mjekësor ashtu edhe në atë organizativ. Janë zbatuar mbi 100 masa përmirësuese, ndërsa niveli i vdekshmërisë është kthyer në parametra normalë. Po ashtu, janë forcuar ndjeshëm transparenca dhe kontrolli i brendshëm, për të shmangur përsëritjen e gabimeve të së kaluarës. Ky transformim shënon një kthesë të rëndësishme për një nga institucionet më prestigjioze shëndetësore në Zvicër. /Telegrafi/

Artikuj të lidhur

Back to top button