
Nga Dashnor Kokonozi-
Filmin «Një betejë pas tjetrës» e pashë rreth një muaj më parë, diku nga fundi i dhjetorit të shkuar. Meqë nuk më pëlqeu shumë, thuajse e kisha harruar. Së pari, fabula e tij m’u duk e stisur, e tërhequr prej veshësh; zhvillimi i saj më dukej vërtet i sforcuar, thjesht për të xhiruar skena në stil western (kuajt ishin bërë vetura), të cilat edhe ato më ngjanin disi déjà-vu.
Dyshova pak edhe për interpretimin. Sigurisht, të shkëlqyer si L. DiCaprio ashtu edhe Sean Penn, por ky i fundit më dukej disi shumë i ngurtë, më afër imazhit të një oficeri kinez apo koreano verior se sa atij të një ushtaraku amerikan, duke e skematizuar e shtyrë verbërinë e uniformës deri në ekstrem.
Pastaj, kur këto ditë pashë se disa e përqasnin personazhin e tij me protagonistët e ngjarjeve të fundit në Minneapolis, thashë me vete se këtu kemi të bëjmë me një fenomen të çuditshëm: ka artistë amerikanë që, sikundër autorët e fantashkencës, me shqisën e tyre të gjashtë, po u paraprijnë shndërrimeve social-politike që ende nuk kanë ndodhur.
Prandaj, nuk duhet nxituar në gjykim. (I thashë vetes)



