Aktualitet/LajmeKryesoreRajoni

BE e shqetësuar për parregullsitë në zgjedhjet e Serbisë

Bashkimi Evropian pret që autoritetet e Serbisë t’i shqyrtojnë në mënyrë transparente raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Përmes një deklarate të përbashkët për media, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, thanë se në mesin e parregullsive gjatë zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, përfshihen edhe ato të raportuara në kryeqytetin serb, Beograd dhe komuna të tjera.

“Ne marrim parasysh gjetjet preliminare dhe konluzionet e vëzhguesve ndërkombëtarë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë dhe Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut për zgjedhjet parlamentare serbe.

Në dritë të këtyre gjetjeve, me shqetësim ne vijmë në përfundim se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi që funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE”, u tha në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varheyit.

Dy zyrtarët e lartë evropianë i bënë thirrje udhëheqjes politike serbe që të sigurojë një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në të gjithë spektrin politik.

Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiç, ka shpallur fitoren në të gjitha nivelet.

Por, partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” kanë kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale në Beograd, duke argumentuar se për shkak të parregullsive të shumta, rezultatet zgjedhore nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

Partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi, dhe se rezultatet nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

Edhe nga vëzhguesi zgjedhor serb, CRTA, kanë deklaruar se rezultatet në Beograd nuk pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan Zgjedhor, lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet” ka fituar 46.71 për qind, pasur nga lista “Serbia kundër dhunës” me 23.58 për qind.

E treta është radhitur lista “Ivica Daçiç – kryeministër i Serbisë” me 6.57 për qind të votave. Më pas vjen “Shpresa për Serbinë” me 5.03 për qind dhe “Ne – Zëri i Popullit” me 4.69 për qind.

Në zgjedhjet e 17 dhjetorit, banorët serbë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Serbisë për të votuar. Kjo pasi votimet nuk janë lejuar të mbahen në territorin e Kosovës, krahasuar me vitet më parë.

Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Qeveria e Kosovës kishte kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë./REL

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button