Aktualitet/LajmeKryesoreRajoni

Vjosa Osmani: Serbia po planifikon sulme të reja, do informoj liderët e Unionit

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë.

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet të mërkurën në Bruksel, Osmani para mediave tha se do t’i njoftojë sot të gjithë liderët evropianë për informatat që Kosova posedon në lidhje me këto plane të Serbisë.

Sipas saj, këto janë alarme që duhet të merren shumë seriozisht.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja, unë do t’i informojë të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia mos ta destabilizojë më rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka konsideruar se Samiti i sotëm po mbahet në një kohë të vështirë për Evropën dhe për të gjithë botën për shkak të konflikteve që po ndodhin nëpër botë.

“Ky samit është duke ndodhur në një kohë të vështirë për Evropën dhe për të gjithë botën për shkak të një sërë konfliktesh që po ndodhin anë e kënd botës dhe natyrisht që edhe natyrisht që vëmendja e të gjithë partnerëve tanë është te të gjitha këto konflikte. Këto konflikte që po ndodhin në botë dëshmojnë se sa e rëndësishme është paqja në Ballkanin Perëndimor.

Për fat të keq Serbia akoma udhëhiqet nga njerëz që dëshirojnë ta kthejnë prapa rajonin tonë në vitet e 890-ta, ne nuk duhet të lejojmë që një logjikë e tillë të triumfojë, prandaj po punojmë me partnerët tanë në BE në mënyrë që të rritet siguria në Kosovë dhe sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë dhe e dyta që të hiqen masat ndaj Kosovës, është e domosdoshme që të ketë masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim ose masë ndaj Serbia, ajo do ta marrë këtë si një lloj nxitjeje”, ka thënë ajo.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button