Aktualitet/LajmeBlogKryesoreKurioziteteRajoni

Vjeshta: në natyrë apo brenda nesh?

Këtë mëngjes po shëtis në parkun e Oranzherisë, në Strasburg. Është ditë vjeshte, me qiell të ngarkuar, mjegull të lehtë dhe atë lagështinë ajrore që paralajmëron shi.
Një peizazh i bukur por edhe i trishtë. Dhe s’di të them: trishtimin e ka vetë vjeshta apo ia shtoj unë?
Jam në një qytet të huaj, larg Tiranës. E megjithatë, ndjesitë janë çuditërisht të afërta me ato që kam përjetuar nëpër vjeshta të kaluara, duke ecur në Parkun e Liqenit, në malësitë e Kurveleshit a të Vermoshit. E njëjta magjepsje, i njëjti ngashënjim, e njëjta melankoli e papërcaktuar.
Mos vallë vjeshta ka një gjuhë të vetën, që e kuptojmë kudo? Apo jemi ne që udhëtojmë me mbresat dhe kujtimet tona, duke u veshur peizazheve të reja emocionet e vjetra?
2.
Vështrimi kthehet te pemët. Ndoshta këtu, te ngjyrat, duhet kërkuar filli i kësaj magjepsjeje. Vështirë të gjesh një stinë tjetër me një pasuri të tillë nuancash. E verdha e artë, e kuqja e ndezur, okra, kafja, të gjitha përzihen në një harmoni që duket sikur është krijuar për syrin e piktorit. Drita thuajse e mekur, mjegulla që zbut konturet, qielli gri që i bën ngjyrat edhe më të dukshme.
Por s’di të them përse kjo bukuri shoqërohet me trishtim. Mbase ngaqë e dimë se nuk do të zgjasë. Gjethet janë më të bukura pikërisht kur po përgatiten të bien. A është kjo vetëdije për përkohshmërinë tonë? Apo një kuptim që ne ia japim një procesi të zakonshëm natyror?
Ndoshta vjeshta na prek sepse nuk na përball me një humbje të menjëhershme, por me një largim të ngadaltë. Diçka po ikën, por ende është këtu. Prej këtej duket se buron ajo melankoli e butë dhe pothuajse e këndshme.
3.
Po a është vërtet natyra burimi i kësaj melankolie? Ka të ngjarë që një pjesë e saj të jetë jehonë e një ndjeshmërie që e kemi kultivuar përmes poezisë, pikturës, muzikës dhe artesh të tjera.
A do ta përjetoja njësoj këtë shëtitje po të mos kisha njohur vargjet e Verlenit për violinat e vjeshtës, po të mos kisha parë peizazhet e Monesë, ku drita dhe ngjyrat duket sikur treten në ajër? Po të mos kisha dëgjuar melodi të ndryshme, nga Vivaldi te ‘Autumn leaves’ e Joseph Kosma/Jacques Prévert, që më kanë mësuar të shoqëroj muzikën me mallin dhe me ndjesinë e rrjedhjes, ikjes?
Ndoshta arti nuk pasqyron vetëm ndjenjat që na ngjall natyra, por merr pjesë edhe në krijimin e tyre. Na mëson si ta shohim një peizazh, çfarë të ndiejmë përballë tij. Vështirë se kjo i bën ndjenjat tona më pak të vërteta, më larg natyrës.
4.
Dhe nuk është vetëm arti. Edhe mënyra si e përfytyrojmë jetën duket se ndikon në atë që shohim. Më vjen ndër mend krahasimi i njohur i stinëve me moshat e njeriut. Pranvera si rini, vera si pjekuri, vjeshta si fillim i plakjes, dimri si fund. Një metaforë aq e njohur, sa e marrim si diçka të natyrshme.
Por vjeshta është edhe stina e frutave, e vjeljes, e përmbushjes. Ndoshta na prek ngaqë bashkon plotësinë e asaj që është arritur me parandjenjën e asaj që do të humbasë. Dhe më kujtohet ode-ja ‘To Autumn’ e John Keats, ku vjeshta zhvishet nga trishtimi dhe shfaqet jo si stinë e trishtimit, por si stinë e begatisë dhe e pjekurisë.
Mos vallë vjeshta bëhet më e afërt me njeriun ndërkohë që vitet kalojnë dhe i afrohen cakut të mbramë? A shohim në rënien e gjetheve diçka nga kalimi ynë, kurse në ngjyrat e tyre të fundit, një bukuri që i përket përmbushjes?
5.
Teksa eci, më duket se edhe qetësia e parkut ushqen këto mendime. Vera të fton në lëvizje, në shoqëri, në gjallëri. Vjeshta duket sikur të kthen nga vetja. Ditët shkurtohen, zhurmat pakësohen, mendimi endet më lirshëm. Apo mos vallë jemi ne që kërkojmë më shumë vetminë dhe përsiatjen?
Më kujtohen shëtitjet në Parkun e Liqenit. Jo ndonjë ngjarje e veçantë, por një atmosferë, një dritë, një ndjesi. Është e çuditshme se si një vend i panjohur dhe i huaj si parku i Oranzherisë zgjon kujtimin e një vendi familjar. Ndoshta ngjyrat, lagështia dhe era veprojnë mbi kujtesën më drejtpërdrejt se mendimi. Apo është kujtesa që kërkon ngjashmëri, për ta bërë botën më pak të huaj?
6.
Megjithatë, peizazhi nuk më lë të humbas krejt në kujtime. Ka diçka tjetër që më tërheq tek ai: kundërthëniet e vjeshtës. Ngjyrat e ngrohta dhe ajri i ftohtë. Bukuria dhe shuarja. Begatia vjeshtore dhe zbrazja, zhveshja. Mos vallë të gjitha këto kontraste na tërheqin sepse i ngjajnë vetë jetës sonë, ku gëzimi rrallë është krejt i ndarë nga trishtimi?
Gjynah mos paça, por po më ngjan se jam duke i kërkuar natyrës të flasë për veten time. Vjeshta nuk e di që është poetike. Nuk e di që gjethet e saj na duken të trishta, që mjegulla na fton në përsiatje. Këto janë ndoshta të gjitha tonat. E megjithatë, pa këto peizazhe vështirë se do t’i përjetonim gjithë këto ndjenja.
7.
Me këtë mendim vazhdoj të eci në parkun e Oranzherisë. Qielli duket sikur do të shkundë shi. Disa gjethe shkëputen nga degët dhe bien ngadalë. Nuk e di nëse po përjetoj vjeshtën e Strasburgut, atë të Tiranës, apo të gjitha vjeshtat që kam jetuar dhe që i mbart me vete.
Ndoshta as nuk ka nevojë t’i ndaj. Ajo që quajmë poetike mund të lindë pikërisht në këtë takim të pasigurt midis botës dhe nesh. Midis asaj që shohim dhe asaj që kujtojmë. Midis natyrës që ndryshon dhe njeriut që, duke e parë, ndien se edhe ai po ndryshon.
Por edhe kjo mund të jetë vetëm një mënyrë tjetër për t’i dhënë kuptim një shëtitjeje vjeshte. Ndërkohë, gjethet vazhdojnë të bien. Dhe mbase bëj mirë të mos kërkoj më shpjegime, të fik meditimet e të lë ndezur vetëm emocionet…

Artikuj të lidhur

Back to top button