Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

Vëllai i Alfred Lelës i shkon poshtë ballkonit Berishës, e prezantojnë si pastor

Mbrëmjen e djeshme, poshtë ballkonit të Sali Berishës nuk ka shkuar Alfred Lela, por ka dërguar të vëllain.

Dhe e kanë prezantuar si pastor.

“Në protestën kundrë arrestimit politik të liderit të opozitës, Sali Berisha nga drejtësia politike ishte pastori, Marsel Lela.

Lela është shprehur se sot vendi ynë është në një multikrizë totale – krizë morale, krizë ekonomike, krizë sociale, krizë politike, krizë identiteti – shqiptarët nuk dinë më kush janë, ku shkojnë dhe nëse do kthehen ndonjëherë”, shkruan portali i familjes Berisha.

Si pastor nuk e kisha të lehtë të vija sot para jush, sepse më duhet të ruaj neutralitetin. Por unë jam këtu:

Së pari: Sepse besoj që një nga mëkatet më të mëdha është ruajtja e neutralitetit në kohë krize morale

Sot vendi ynë është në një multikrizë totale – krizë morale, krizë ekonomike, krizë sociale, krizë politike, krizë identiteti – shqiptarët nuk dinë më kush janë, ku shkojnë dhe nëse do kthehen ndonjëherë

Së dyti: Jam këtu për t’ju thënë që jam i njëanshëm. Unë jam në anën e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe kundër propagandës antishqiptare që thotë, ikni ju pa ne sjellim bangladeshasit.

Kjo ndodh sepse mungojnë barinjtë. Dhe në vend të tyre ka ujqër, çakej e tigra, të cilët nuk çajnë kokë më as të veshin lëkurë delje, por dalin hapur me gjithë urinë e tyre ugolineske, duke kafshuar deri në varfëri, deri në mjerim taksapaguesit e këtij vendi.

Propaganda dhe megafonët e saj buçasin se kanë rritur mirëqenien dhe ekonominë. Por e vetmja gjë që kanë rritur është ekonomia e dëshpërimit.

Jam i sigurt që për pushtetarët ka rritje ekonomike. Sepse ata flasin nga xhepat e tyre obezë dhe nga një Shqipëri që ekziston vetëm në imagjinatën e tyre. Ata flasin më mirëqenien imagjinare të nënshtetasve të tyre; për inceneratorë imagjinarë dhe rrugë që kanë mbetur në mes të katër rrugëve.

Mjafton të ndërmendim vetëm rrugën e Arbërit që inagurohet herë pas here, e që është bërë si pëlhura e Penelopës. Thuret ditën dhe çthuret natën, derisa t’ia mbërrijë Odiseu, dita e votimeve, ku ministra e ministresha do të dynden duke u shtyrë me lopata në duar për inagurimin e radhës.

Më kujtohet një batutë e kryebashkiakut të Tiranës, i cili e krahasoi pushtetin me sifonin e tualetit. Nëse ke për ta bërë, bëje ose ngrihu ta bëjë tjetri.

Së treti, dua t’ju drejtohem ju dhe të gjithë shqiptarëve të mos heshtni për asnjë çast para padrejtësisë. Një popull që fle, vdes.

Në Bibël thuhet – Mjerë ti, o popull, princat e të cilit ia shtrojnë që në mëngjes!

Princat tanë ia shtrojnë nga mëngjesi në darkë mbi varfërinë e këtij populli.

Unë dua t’u drejtohem edhe patronazhistëve – zhvishuni nga ky titull i mynxyrshëm që është mbarsur në barkun e totalitarizmit. Refuzoni të jini zhuli i thonjve të tigrit dhe bëhuni dora që ndërton këtë vend”, tha vëllai i Alfred Lelës gjatë fjalimit poshtë ballkonit të Berishës.

Në fakt, Marsel Lela, ka punuar si gazetar dhe thjesht është besimtar që shkon në kishë.

Ndoshta dhe e kanë lënë të predikojë ndonjëherë.

Por nuk mund të prezantosh vëllain e Alfred Lelës, si pastor, thjesht për të manipuluar njerëzit, se Berisha ka mbështetje edhe nga feja.

Se jo për gjë, por llogaritë me Zotin, Berisha do i ketë shumë më të rënda kur të shkojë në botën tjetër, se sa me ligjin në këtë botë.

Dhe Marsel Lela, edhe nëse është bërë pastor, nuk e ndihmon dot.

Vetëm nëse e bën të rrëfehet dhe të pendohet për ato që ka bërë gjatë jetës së vet, dhe tani në këto ditë që i kanë mbetur, të kërkojë Zotin!

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button