BlogInvestigimKryesore

“Uniforma e Huaj”

Nga Auron Tare-
Në mëngjesin e 8 majit 1945, dymbëdhjetë ushtarë francezë të SS-së, pjesë e Divizionit të 33-të Waffen-Grenadier të SS “Charlemagne”, u dorëzuan pa rezistencë trupave amerikane në Bavari. Amerikanët, të cilët në përgjithësi tregoheshin mjaft të ashpër ndaj trupave të SS-së, i dorëzuan robërit në duart e forcave të Divizionit të 2-të të Blinduar Francez (2ème Division Blindée), nën komandën e gjeneralit Philippe Leclerc, pjesë e shtabit të Sharl de Golit.
Fotografia e poshtme është një foto e njohur për veçantinë e saj dhe personat e paraqitur në të janë identifikuar nga historianë pas Luftës së Dytë Botërore. Në foto shfaqen:
Obersturmführer Serge Krotoff, 33 vjeç, francez me origjinë nga rusët e bardhë
Untersturmführer Paul Briffaut, 26 vjeç, nga Nica, anëtar i LVF – Légion des Volontaires Français contre le Bolchévisme
Untersturmführer Robert Daffas, 37 vjeç, parizian
Grenadier Raymond Payras, 22 vjeç (pa kapele), i lindur në Sri Lanka (ish-Ceylon)
Sipas dëshmitarëve, gjenerali Leclerc u përball me të burgosurit dhe, me një gjuhë të ashpër, i akuzoi ata si tradhtarë, për shkak se mbanin një uniformë të huaj, atë gjermane. Njëri prej SS-ëve francezë iu përgjigj gjeneralit:
“Zotëri, edhe ju mbani një uniformë të huaj, atë amerikane!”
Në fakt, edhe në fotografi gjenerali francez shihet qartësisht i veshur me uniformë ushtarake amerikane.
Pas kësaj përplasjeje verbale, sipas dëshmive të mëvonshme, thuhet se gjenerali Leclerc dha urdhër që dymbëdhjetë robërit të ekzekutoheshin po atë ditë.
Rreth orës 17:00, sipas orës lokale, robërit francezë të Divizionit SS “Charlemagne”, vullnetarë të angazhuar kundër Rusisë komuniste, u përballën me togën e pushkatimit. Sipas dëshmisë së kapelanit të Divizionit të 2-të, Maxime Gaume, ata refuzuan t’u lidhnin sytë. Serge Krotoff i inkurajoi të tjerët të këndonin “La Marseillaise” dhe, të kapur përdore, ranë duke thirrur “Rroftë Franca!”
Kjo histori reale sjell një kënd vështrim të fortë dhe të ndërlikuar mbi ngjarje me rëndësi si Lufta e Dytë Botërore. Ajo ngre pyetje thelbësore mbi arsyet pse njerëz të ndryshëm, me bindje dhe formime të ndryshme, zgjodhën të rreshtoheshin në kampe kundërshtare duke menduar se luftonin për lavdinë e Atdheut të tyre.
Pas përfundimit të luftës dhe fitores së aleatëve anglo-amerikanë dhe sovjetikë, analiza historike u ndërtua pothuajse gjithmonë mbi një ndarje të thjeshtë bardh e zi: të mirët dhe të këqijtë, shpëtimtarët dhe armiqtë e njerëzimit. Ky interpretim, i cili vazhdon edhe sot, e bën të vështirë një kuptim analitik të thellë të realitetit historik për brezat e rinj.
Sot, pas afro 80 vjetësh, kur distanca kohore ka zbehur ngarkesën emocionale, bëhet e mundur që ngjarjet të analizohen me më shumë ftohtësi dhe paanshmëri, duke shqyrtuar faktorët që ndikuan individë apo figura të njohura të kohës të pozicionoheshin në kampe të ndryshme.
Debati i javës së kaluar në mediat shqiptare, i zhvilluar në Ditën e Holokaustit, e riktheu këtë çështje sërisht, rolin e figurave politike kolaboracioniste në shpëtimin e komunitetit hebre. Dokumentacioni i kohës tregon qartë se në Shqipëri dhe Kosovë autoritetet që bashkëpunonin me administratën gjermane shfaqën, në shumë raste, një qëndrim dashamirës dhe mbrojtës ndaj hebrenjve. Kjo nuk përjashton faktin se, si kudo në Evropën e përfshirë nga lufta, pati edhe përfitues, oportunistë dhe bashkëpunëtorë aktivë të pushtuesit qe dorezuan hebrenjte.
Por Debati, megjithatë, u kthye sërish në ndarjen e vjetër të mirët dhe të këqijtë, bashkëpunëtorët dhe antifashistet.
Për një njeri që ka lexuar dokumentacionin e kohës, një gjë mbetet e qartë:
kolaboracionizmi me fashizmin dhe nazizmin mbetet i dënuar nga verdikti universal i historisë. Por historia eshte nje labirith i cuditshem. nje anti komunist i njohur Curcilli u be nje aleat i Stalinit. Po a duhen gjykuar anti komunistet shqiptare te cilet ashtu si Churchilli denonin Stalinin dhe komunizmin? ne se pro Gjermanet mendonin se shpetimi i Shqiperise dhe KOsoves do te vinte nga Gjermania si pasuese e politikave te Austro-HUngarise, pro komunistet mendonin se nje bote re do te lindte nga germadhat e Luftes duke u rreshtuar me politiken britanike e cila deri ne 1943 deklaronte se Jugu i Shqiperise do ti jepej Greqise se pas Luftes.
Por, nëse synojmë të kuptojmë çfarë ndodhi realisht, pa emocione dhe paragjykime, është e nevojshme të analizojmë njerëzit e kohës në kontekstin e tyre. A ishin pro-gjermanët domosdoshmërisht anti-shqiptarë? A ishin komunistët gjithmonë pro interesit kombëtar? A vepruan individët për interesin e vendit apo për interesa ideologjike dhe gjeopolitike të huaja?
A duhen peshuar njësoj viktimat e një ministri pro-gjerman, antikomunist, që besonte se Gjermania do të ndihmonte Shqipërinë dhe Kosovën kundër Serbisë, me viktimat e një figure shtetërore pas lufte, pro-jugosllave, që në emër të një kauze internacionaliste vrau po ashtu bashkëatdhetarë?
A duhet quajtur anti-shqiptar një personalitet antikomunist, antisovjetik, antiserb, i cili bashkëpunoi me gjermanët kundër frontit komunist dhe që pas luftës u bë aleat i shërbimeve amerikane kundër kampit lindor? Amerikanet qe ne fund cliruan Kosoven
Po nje personalitet Luftes qe punoi me aleatet por i cili pas 46 ishte nje pro-jugosllav, antiperëndimor, qe vrau mjaft shqiptare që punoi kundër interesave kombëtare per mbajtjen e Shqiperise nen tutelen jugosllave anti amerikan etj, si klasifikohet ne librin e historise?
Fatkeqesisht tani pas 80 vjetësh historia mund te shikohet pa emocion dhe me mjaft realitet duhen parë se në kontekstin lokal të dyja palët gjatë konfliktit mbanin “veshur” uniforma të huaja. Uniforma të cilat fatkëqesisht ende nuk janë hequr nga garderopa e politikes se sotme shqiptare.

Artikuj të lidhur

Back to top button