
Nga Emin Azemi-
Dje, më 6 shtator, me dhimbje e pikëllim të thellë, i dhamë lamtumirën e fundit Dr. Daut Dautit, i cili ndërroi jetë në Londër më 1 shtator. Teatri i Qytetit të Gjilanit u shndërrua në një tempull të përlotur kujtimesh. Në atë hapësirë plot dritëhije emocionale, miqtë dhe familjarët evokuan me mall e nderim figurën e tij të ndritur.
Në këtë rrugëtim të fundit, tek shihja njerëzit e mbledhur, ndjeva një pezm të lehtë njerëzor për mungesën e heshtur (me përjashtim të tre- katër vetave)të një pjese të kolegëve dhe elitës nga Prishtina. Ishte një keqardhje e hollë që rëndonte në ajër, duke kujtuar atë rreth të gjerë njerëzish që Dauti i çmonte aq shumë e i konsideronte miq të idealit intelektual. Kjo mungesë e tyre la një shije keqardhjeje, megjithatë shpirti i tij i madh u rrethua nga dashuria e pastër e atyre që e deshën pa kushte.
Më pas, një rrugë gjarpërore na dërgoi te stacioni i fundit ku do të prehet tash e tutje trupi i Dautit, aty në tokën e stërgjyshërve të tij në Kokaj të Gjilanit. Kokaj për Dautin është si Makondo për Markezin. Një hapësirë mitike, një vatër imagjinare prej nga ai mblodhi zërat, legjendat e frymën e parë të botës së tij krijuese për t’i shndërruar në art të përjetshëm. Aty u ndamë me Dautin vetëm fizikisht, sepse shpirtërisht ai mbetet i rrënjosur mes nesh. Kujtimi për të do të jetë i amshueshëm, ashtu siç do të jenë të pasosura respekti, konsiderata dhe gjithë dashamirësia ndaj këtij burri që na la me një boshllëk të madh në zemër.
Duke iu bashkangjitur evokimeve të përgjithshme, kujtesa ime për Dautin vjen si një përgjërim shpirtëror për mikun që bëri epokë në heshtje, sepse të flasësh për të në kohën e shkuar mbetet një nga sprovat më të rënda. Ikja e tij la pas një zbrazëti të ftohtë për familjen që e pati shtyllë shtëpie në udhëkryqet e gjata midis Prishtinës e Londrës, megjithatë kjo zbrazëti ndez dritën e pashterrshme të një shpirti të jashtëzakonshëm.
Dauti shkriu në personalitetin e tij me një mjeshtëri të rrallë historianin, gazetarin dhe shkrimtarin. Si një kërkues i paepur, ai refuzoi komoditetin e zyrave duke zgjedhur pluhurin e arkivave të vështira britanike, ku zbardhi të vërtetën e patjetërsueshme të kombit tonë dhe bëri që zëri ynë shkencor të dëgjohej i saktë nga Londra në mbarë botën. Pena e tij e mprehtë ndriçoi kauza të mëdha kombëtare, ndërsa në rrafshin njerëzor ai rrezatoi një thjeshtësi fisnike. Gjatë muajve të artë në redaksinë e gazetës FAKTI në Shkup, ai nuk e mbajti për vete përvojën perëndimore, por u ul pranë gazetarëve të rinj si mentor e udhërrëfyes i atyre që më vonë bënë emër në Shkup e gjetiu.
Ky njeri i madh ruajti deri në frymën e fundit një lidhje mistike me rrënjët e tij. Pak para se të ndërronte jetë, ai na la testamentin e tij letrar, librin me tregime “Nëpër gjethe kujtimesh”, të cilin pata fatin e madh ta redaktoj e ta botoj bashkë me veprën “Dilema të pambyllura”. Ky mozaik i gjallë autobiografik e mitologjik shpërfaqi shpirtin e tij jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe dashurinë e pashuar për njerëzit e gjakut të tij.
Sot, teksa trupi i tij tretet në dheun e Kosovës që e deshi me çdo rrahje zemre, familja e tij mbetet trashëgimtare e një nderi të madh kombëtar. Dr. Daut Dauti la gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij vendi, prandaj ne, miqtë dhe kolegët e tij, do të jemi gjithmonë roje të kujtimit të tij të ndritur



