Gjatë një konference për mediat në Ankara me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, kryeministri Edi Rama ka komentuar njohjen e lejeve të drejtimit në Turqi, ku tashmë qytetarët shqiptar atje mund të lëvizin lirisht.
“Faleminderit për lejet e drejtimit qe juve i miratuat dhe shqiptarët të lëvizini lirisht. Në këtë rast na i miratuat pas Gjermanisë por e mirëkuptoj vonesën”, tha Rama.
Në fillim të pranverës, shtetasve shqiptarë që jetojnë në Turqi, do t’ju njihen patentat që kanë marrë në Shqipëri. Kjo do të jetë e vlefshme dhe për shtetasit turq që jetojnë në vendin tonë.
Ndër të tjera Rama ka falenderuar Turqinë për ndërtimin e spitalit të Fierit, ndihmën pas tërmetit si dhe gjatë pandemisë.
“Kur Shqipëria u godit nga një tërmet me pasoja të rëndë, ju ishit i pari që komunikuat me mua, më thatë “Sa të jetë Turqia, Shqipëria nuk do jetë kurrë vetëm” dhe ndërmorët iniciativën publike për fillimin e ndërtimit të 500 apartamenteve të reja. Kur Shqipëria bashkë më ata të rajonit, që u ndjemë si peshku pa ujë, në momentin kur bota u godit nga Covid-19, dhe teksa shikonim vaksinimin në europë, nëse nuk do ishte Turqia, kushedi se sa njerëz do të kishin humbur jetën.
Këto janë moment mes jetës dhe vdekjes që nuk harrohen dot kurrë. Ju përmendët spitalin, por përtej ngritjes së tij në kohë rekord, nuk është vetëm ky rekordi juaj. Ajo që është me e rëndësishme, është se sot ai spital është një pikë referimi për qytetarët dhe një pasqyrë e një bashkëpunimi që vazhdon ende”, u shpreh Rama.
Kujtojmë se sot kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Ankara ka firmosur së bashku me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, marrëveshje dhe memorandume në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve
Marrëveshjet dhe memorandumet e firmosura:
-Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.
-Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.
-Marrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.
-Marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.
-Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.
-Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar.