BlogBotaKryesore

Si t’i përgjigjemi luftës hibride të Rusisë ndaj Perëndimit

Nga Max Boot-

Më 25 dhjetor, një kabëll energjie elektrike që kalonte nga Finlanda në Estoni u këput në Detin Balltik, ndërsa katër kabllo të tjera nënujorë që transportonin të dhëna u dëmtuan. Autoritetet finlandeze gjetën një shenjë spirance në fund të detit dhe sekuestruan një çisternë që besohet të jetë pjesë e “flotës hije” që Rusia përdor për të eksportuar naftë dhe gaz në shkelje të sanksioneve perëndimore.

Ky është vetëm akti më i fundit i sabotimit në Evropë që i atribuohet Kremlinit. Vetëm një muaj më parë, besohet se një anije kineze preu dy kabllo të tjera të dhënash në ujërat suedeze me urdhër të Moskës. Gjatë vitit të kaluar, operativët rusë dyshohet se u përpoqën të vendosnin pajisje shpërthyese në një avion mallrash në Gjermani; ata dyshohen për planifikimin e vrasjes së kreut të një kompanie të madhe gjermane që prodhon armë për Ukrainën; për sulme me zjarrvënie në Poloni, Britani dhe Gjermani; dhe për ndërhyrje në zgjedhje në Rumani dhe Moldavi, ndër vende të tjera.

Rusia po zhvillon “një fushatë sulmesh hibride në të gjitha territoret tona aleate, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në demokracitë tona, duke sabotuar industrinë dhe duke kryer akte dhune,” tha nëntorin e kaluar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Por çfarë saktësisht është një “luftë hibride” dhe çfarë duhet të bëjë Perëndimi?

Shpeshherë termi “luftë hibride” i atribuohet kolonelit të dalë në pension, Frank Hoffman, në vitin 2007, por Hoffman më thotë se termi buron nga Jim Mattis, gjenerali i dalë në pension dhe ish-sekretari i mbrojtjes. Mattis mbajti një fjalim për këtë temë në vitin 2005 dhe ai së bashku me Hoffman ishin bashkëautorë të një artikulli në revistën Proceedings të Institutit Naval të SHBA-së, me titull “Luftërat e Ardhshme: Rritja e Luftërave Hibride.”

Artikulli i tyre paralajmëronte se në të ardhmen “luftërat hibride” do ta detyronin SHBA-në të përballej “me pasojat e një shteti të dështuar” që kishte “humbur kontrollin mbi disa agjentë biologjikë ose raketa”; me “akte dhune” nga “aktorë jo-shtetërorë kundër infrastrukturës sonë kritike”; ose me “forma të tjera të luftës ekonomike” ose “sulme në rrjete kompjuterike ndaj objektivave ushtarake ose financiare.”

Mattis më thotë se ai adoptoi termin “luftë hibride” për të “dalë” nga mendësia konvencionale që Amerika është në paqe, përveçse kur forcat ushtarake të SHBA-së janë të përfshira në një luftë me armë. Kjo logjikë binare nuk mbulon kërcënimet më të vogla si sulmet kibernetike ndaj SHBA-së brenda vendit – ose prerjet e kabllove në Detin Baltik. “Nëse po presim për ‘luftën e vërtetë’ sipas përkufizimit klasik, mund të mos e kuptojmë që armiku tashmë po lufton kundër nesh,” më shkroi Mattis në një email javën e kaluar. “Termi ‘hibrid’ u përdor si një nxitje për një këndvështrim më të gjerë të luftës.”

Është e domosdoshme që Shtetet e Bashkuara të adoptojnë një vizion më të zgjeruar të konfliktit, sepse kështu mendojnë kundërshtarët tanë. Në fakt, dy kolonelë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, Qiao Liang dhe Wang Xiangsui, publikuan një libër me titull “Luftë e Pakufizuar” në vitin 1999, ku prezantuan një vizion të asaj që mund të quhet luftë hibride me tipare kineze.

Këta oficerë kinezë reaguan ndaj mjeshtërisë së treguar prej ushtrisë amerikane në Luftën e Gjirit Persik të vitit 1991. Duke kuptuar se vendet më të dobëta si Kina nuk mund të konkurronin në terma ushtarakë konvencionalë në afat të shkurtër, ata argumentuan për zgjerimin e konceptit të konfliktit, duke përfshirë masa të fshehta si blerja e ligjvënësve dhe mediave të kundërshtarit, vrasja e drejtuesve financiarë, nxitja e katastrofave mjedisore dhe nisja e sulmeve kibernetike. “Rregulli i parë i luftës së pakufizuar është që nuk ka rregulla, asgjë nuk është e ndaluar,” shkruanin ata.

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, një raport i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, në vitin 2013, identifikoi strategjinë e “tri luftërave” në doktrinën ushtarake kineze: luftë psikologjike (“për të ndikuar dhe/ose për të ndërprerë aftësinë vendimmarrëse të një kundërshtari”), luftë mediatike (“e cila synon ndikimin afatgjatë”) dhe luftë ligjore (“që shfrytëzon sistemin ligjor për të arritur objektiva politike ose tregtare”). Kina ka përdorur qasjen e “tri luftrave” për të marrë në mënyrë të paligjshme kontrollin mbi Detin e Kinës Jugore, ndër të tjera duke shpikur argumente historike të pabaza, duke ndërtuar shkëmbinj artificialë dhe duke dërguar anije “peshkimi” të armatosura për të ngacmuar dhe larguar marinarët e vendeve të tjera.

Irani është një tjetër vend që ka investuar shumë në luftën hibride në dekadat e fundit. Ai është përpjekur të forcojë kontrollin përgjatë “hënës Shiite” në Lindjen e Mesme duke mbështetur milicitë si Hezbollah në Liban dhe Houthit në Jemen, ndërsa gjithashtu ndërhyn në zgjedhjet e SHBA-së dhe paguan kriminelë për të vrarë kundërshtarët e regjimit jashtë vendit. Rënia e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri është një humbje e madhe për Iranin (dhe Rusinë), por Teherani ka të ngjarë të dyfishojë përpjekjet në strategjinë e tij hibride. Edhe “mbretëria e izoluar” e Koresë së Veriut është e angazhuar në luftë hibride, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe furnizimin me municione dhe trupa për përdorim nga Rusia në Ukrainë.

Megjithatë, Rusia mbetet praktikuesi kryesor i luftës hibride. Taktikat e saj variojnë nga operacionet luftarake konvencionale në Ukrainë, deri te sabotimi dhe operacionet për ndikim politik në Evropë, si dhe dërgimi i mercenarëve në Afrikë dhe Lindjen e Mesme për të plaçkitur burime natyrore dhe për të mbështetur komandantët e luftës atje. E gjitha kjo është menduar për të rikthyer fuqinë që Rusia humbi pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Si duhet të përgjigjet Perëndimi?

Qendra për Analizë të Politikave Evropiane kohët e fundit publikoi një artikull të dobishëm mbi detyrimin e Rusisë të paguajë për sulmet hibride. Autori, diplomati lituanez Eitvydas Bajarunas, argumentonte se Perëndimi duhet të zhvillojë luftën e vet hibride që është “mjaftueshëm shkatërruese për të bërë që sytë e rusëve të lotojnë dhe për të parandaluar vazhdimin e kësaj sjelljeje.”

Rekomandimet e tij përfshinin: shtimin e sanksioneve ekonomike ndaj “vendimmarrësve rusë”; ndjekjen e veprimeve ligjore kundër individëve “të përfshirë në veprime hibride”; përdorimin e sulmeve kibernetike për të çaktivizuar “botnetet dhe serverët e kontrolluar nga Rusia”; fshirjen e llogarive në mediat sociale që “përhapin informacione të rreme”; dhe rritjen e përpjekjeve ushtarake për t’iu kundërvënë sabotimeve ruse. Mund të shtohen edhe ide të tjera, si përpjekjet për të anashkaluar censurën ruse dhe sabotimin e flotës hije të çisternave ruse – operacione që mund të kryhen nga agjencitë e inteligjencës perëndimore.

Mattis më thotë se pajtohet që Shtetet e Bashkuara duhet ta zhvillojnë në mënyrë aktive luftën hibride. Ai sugjeron nevojën për një memorandum të klasifikuar presidencial, pas konsultimit me anëtarët kryesorë të Kongresit, për të “kornizuar veprimet.” Gjenerali në pension mbështet një strategji për të “zgjeruar hapësirën konkurruese,” me një “angazhim për ta bërë që të dhembë,” duke shtuar se “qasja indirekte do të na lejonte të marrim iniciativën operacionale duke mbetur në modalitetin e hakmarrjes [kundrejt] modalitetit të përshkallëzimit.”

Fatkeqësisht, është e vështirë të imagjinohet që Donald Trump, presidenti më i dashur ndaj Rusisë dhe skeptik ndaj NATO-s, i kohëve moderne, të zbatojë një agjendë të tillë. Me administratën Trump në krye, vazhdimi i përpjekjeve aktuale për të kundërshtuar operacionet hibride ruse, e lëre më përforcimi i tyre, do të jetë një sfidë e madhe.

Më 23 dhjetor, republikanët në Kongres arritën të mbyllnin Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit, e cila ishte krijuar për të monitoruar dhe kundërvënë fushatave dezinformuese nga Rusia, Kina dhe kundërshtarë të tjerë të SHBA-së. Republikanët MAGA akuzuan gabimisht qendrën për censurë. Ky përbën një akt çarmatosjeje të njëanshme në luftën hibride shumëplanëshe në të cilën, pavarësisht dëshirës tonë, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara kundër një boshti të vendosur (dhe gjithnjë e më të bashkuar) kundërshtarësh. / The Washington Post – Bota.al

Artikuj të lidhur

Back to top button