
Alba Alimehmeti Kepi-
Proverbi thotë se të gjitha rrugët të cojnë në Romë, por legjenda moderne urbane bëhet më e sofistikuar e shton se të gjitha rrugët e biznesmenëve shqiptarë shkojnë në Itali ose më mirë nga Roma në Veri, o nga Tirana në Veneto, në Lombardi, në Toskana, në Liguria e me radhë, qartë e shkurt nga Shqipëria në Itali, troc e plot shqiptarët kanë kaq para se po blejnë Italinë.
Dikur dëgjoje shpesh të thonin se ishin kinezët, apo (deri pa nis lufta në Ukrainë) se rusët po investojnë në Itali, blejnë gjithcka hotele e pasuri të patundshme, por ja që shqiptarët kanë thyer këto tabu metropolitane.
Kanë kaq para se të thyejnë dhe turitë!
Pas qendrës historike të Firenzes në duart të një grupi shqiptarësh shumica prej të cilëve në masë ndalimi nga Antimafia për mashtrim fiskal e pronësi fiktive, pas turizmit venecian me hoteleri e restorante gjithnjë e më shumë në pronësi të shqiptarëve sa solli apelin publik të Federatës së sipërmarrësve venecianë-“shqiptarët po tentojnë të blejnë gjysmën e Venezias e ka një kërkesë të lartë të shqiptarëve që duan të blejnë hotele e restorante në qëndrën historike të saj e preokupon institucionet, turizmin lokal, sipërmarrësit vendas e qytetarët” sot lajmi i ditës është se Hoteli “Orologio” në Abano Terme në Padova është blerë nga nje grup biznesmenësh shqiptarë.
165 dhoma standart, 13 suite, 4 prej të cilave Imperiale e 46.450 metra katrorë oborr të hotelit janë blenë pak orë më parë nga një grup biznesmenësh shqiptarë.
Abano Terme është një lokalitet turistik në rajonin Veneto, shquhet për ujërat e algat termale e llixhat e saj Euganee janë më të mëdha në Europë e të specializuara në algoterapi e me mbi 250 mijë turistë cdo vit.
Hotel “Orologio”, (Ora) është simbol i këtij qyteti, e një monument historik i ndërtuar në ‘800 nga familja Dondi dell’orologio.
Në këtë hotel kishte selinë qëndrore Komanda Supreme e Ushtrisë Italiane gjatë luftës së parë Boterore e jetonte Gjenerali Armando Diaz, ish Ministër lufte.
Sot ky Hotel emblemë i fakteve e ngjarjeve historike, e një monument kulture për arkitekturën e tij realizuar nga Giuseppe Jappelli, është blerë nga një grup sipërmarrësish shqiptarë.
Kush mendon se është kaq paradoksale kur në Shqipêri investimet e huaja janë të paekzistueshme e ato të sipërmarrjes vendase numërohen me gishtat e dorës sa bëhen objekt analize në Prime time e show-e politike televizive, u jepni në duar katalogun e një kompanie Real Estate e të kuptojnë se dy paradokse janë më mirë se një e sic thotë Proust “paradokset e sotme janë paragjykimet e së ardhmes”.
Në këtë katalog do mësojnë se një metër katror në Shqipëri shitet më shumë se në Abano, Romë, Paris e Athinë ani se paga mesatare mujore e shqiptarëve është sa një 1/5 o 1/10 e punonjësve në këto qytete europiane.