Aktualitet/LajmeKryesorePolitike

Shqipëria thërret ambasadorin rus, pas sulmit ndaj Ambasadës shqiptare në Kiev

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka thirrur ambasadorin rus në Tiranë, Alexey A. Zaitsev pas sulmit raketor që dëmtoi ambasadën shqiptare në Kiev.

Diplomati rus ka qëndruar për disa minuta në ambientet e MEPJ-së, ku është njohur me protestën e qeverisë shqiptare mbi ngjarjen e ndodhur në kryeqytetin e Ukrainës, raporton AP.

Një sulm raketor rus në Kiev dëmtoi një sërë ambasadash të huaja të premten e 20 dhjetorit.

Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi.

Shefja e BE-së Ursula von der Leyen dënoi menjëherë sulmin rus në një ndërtesë në Kiev që pret shumë misione diplomatike, duke përfshirë ato të Portugalisë, Argjentinës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Një tjetër sulm i neveritshëm rus kundër Kievit”, postoi presidentja e Komisionit Evropian në X si përgjigje. “Mos respektimi i ligjit ndërkombëtar nga Putin-i arrin lartësi të reja”.

Si pasojë e këtyre sulmeve u dëmtua pjesërisht Ambasada e Shqipërisë në Kiev, si dhe ambasadat e pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik, thekson MEPJ-ja.

Deri tani, diplomacia shqiptare ka raportuar vetëm për dëme materiale.

Artikuj të lidhur

Back to top button