BlogKryesorePolitike

“Shenjtor” me balsamim grek

Nga Foti Cici-
Në Kishën Ortodokse nuk lejohet që të balsamohet trupi i një të vdekuri, aq më tepër i një kleriku. Në traditën e krishterë trupat e të vdekurve pritet të treten. Ka raste kur varri hapet pas disa vjetësh dhe eshtrat zhvendosen diku gjetkë, për arsye të ndryshme.
Në raste shumë të rralla, kur është hapur varri për të zhvendosur eshtrat, kanë gjetur kufoma të patretura. Në raste edhe më të rralla, disa prej tyre kanë pasur një jetë shenjtërie në të gjallë dhe reliket e tyre nderohen nga besimtarët edhe pas vdekjes.
Kur ka arsye politike për t’u imponuar e rrënjosur në një vend të huaj, dhe sidomos kur mëtimet janë të zhdrejta dhe përndryshe të pamundura, sajohen personazhe fetare e sendërgjohen mite të reja në rajon, për të shfajësuar padrejtësinë ndaj një kombi fqinj me “argumente mbinatyrore”; për të zhvendosur një herë e mirë shenjat historike dhe kufijtë e përftuar në ndërgjegjen e popujve të Ballkanit. Kjo arrihet vetëm nëpërmjet fesë.
* * *
Në foton e djeshme të Janullatosit në arkivol shfaqet një shëmbëllesë e çuditshme, si pasojë e lëndëve kimike të përdorura, prandaj dhe duart duken si të veshura me dorashka. Fytyra e vërtetë që fshihej në takimet publike me improvizime teatrale, tashmë po e tradhton në një pamje makabre!
Njerëzit e shenjtëruar kanë hijeshi edhe në vdekje, ndërsa këtu nuk shohim hirin e Perëndisë te shërbëtori i Tij, por një pamje të tmerrshme, ku “shenjtëria” greke arrihet me ndërhyrje kimike!
Plani është që Janullatosi të varroset fillimisht te Shën Vlashi në Durrës, por kur të hapet varri pas disa vjetësh (me pjesëmarrje të madhe nga vendi fqinj), kufoma të gjendet e patretur, që të thërrasin të gjithë: “I shenjtë”!
Do ta marrim pastaj me procesion drejt Tiranës, që të bëhet “transferimi i lipsanit të patretur” në katedralen me emrin e tij (Ngjallje-Anastasis) në Tiranë. Atje do të rivarroset dhe do të presë grekët e ardhur për pelegrinazh, për të adhuruar “shenjtorin çudibërës grek”; në Greqinë imagjinare!
Dhe përderisa Anastasi është “shenjtor”, veprat greke që bëri në Shqipëri duhet të ruhen të pacenueshme dhe të shumëfishohen!

Artikuj të lidhur

Back to top button