Aktualitet/LajmeKryesoreSport

Rraklli ‘skanon’ kombëtaren prag-europianit: Nuk kemi luksin e të mëdhajave, funksionojmë si grup! Rivalët janë favorit për kampion

Atmosfera e kampionatit europian të futbollit ka filluar të ndjehet. Në ‘Studio Live’ në Report Tv foli ish-futbollisti i kombëtares Altin Rraklli. Në lidhje Skype nga Gjermania ai komentoi për gazetarin Arbër Hitaj situatën e kombëtares sonë dhe atmosferën që pritet në Gjermani.

Ndërkohë UEFA ndryshoi vendimin që numrin e lojtarëve të grumbulluar në Europian duke e kthyer sërish në 23 lojtarë.

‘Unë nuk e di pse UEFA e çoi nga 26 në 23 përsëri. Uroj që të kthehet, sepse edhe për trajnerin do ishte lehtësim i madh.’

Sipas Rrakllit, ekipi ynë kombëtar ka tashmë lojtarë cilësorë që luajnë në ekipe të mira, megjithatë nuk ka luksin e skuadrave kundërshtare.

‘Ne duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk kemi luksin e ekipeve të mëdhaja që kanë numër të lartë lojtarësh kualitativë. Pas shumë vitesh kemi lojtarë që aktivzohen në ekipe të mira. Kemi shumë zgjedhje, mundësi, por në fund të fundit lojtarët më me kualitet nuk janë aq shumë në numër. Dihen lojtarët që do të mbajnë peshën kryesore.’, vijon më tej Rraklli.

Rraklli shton se ndeshjet miqësore me Kilin dhe Suedinë nuk duhet të shërbejnë si matës.

‘Asnjëherë nuk duhet matur me një ndeshje miqësore. Nuk kanë atë motivimin e duhur që ka një ndeshje e vërtetë. Dy ndeshjet tona treguan pikat e dobëta. Sa i përket lojës së shpejtë që bëri Kili, që ngjason shumë me Spanjën. Ne si skuadër kemi funksionuar si grup, ne si sulmuesit tanë kanë punuar shumë mirë në fazën difensive. Edhe mbrojtësit kanë ndihmuar shumë në fazën e sulmit. Mesfushorët tanë kanë shënuar gola. Është e rëndësishme që mesfushorët të jenë në gjendje optimale fizike. Është reparti që vrapon më shumë.’, shton ish-sulmuesi i kombëtares.

Për rivalët shprehet se niveli i tyre dihet.

‘Rivalët nuk është nevoja t’i diskutojmë. Ai që kapi goglat kapi rivalët më të forta në çdo vazo. Të tre rivalët tanë janë favoritët për të fituar kampionatin. Të tre skuadrat janë shumë të forta. Kjo që ka kaluar ka kaluar. Duhet të marrim më të mirën e mundshme. Prandaj na duhet grupi i plotë. Na duhet Broja me ato shpërthimet e veta.’, thotë Rraklli.

Çdo ditë Rrakllin e telefonojnë për bileta dhe interesi i shqiptarëve si në Gjermani dhe vende të tjera të Europës për të ndjekur nga afër kombëtaren është i lartë.

‘Që do ketë shqiptarë në stadium nuk diskutohet. Më marrin çdo ditë miqtë e mi. Çdo shqiptar do dëshironte të ishte në stadium.’, shprehet ai.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button