
Qeveria ka larguar nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Altin Jani, ndërsa në vend të tij është emëruar Ermal Jauri. Ndryshimi në drejtimin e një prej institucioneve që administron çështje të ndjeshme të sigurisë vjen pas më shumë se dy vitesh që Jani mbante këtë post.
Altin Jani ishte emëruar në krye të AKSIK me vendim të Këshillit të Ministrave më 3 prill 2024. Ai ishte pjesë e institucionit që prej vitit 2012 dhe, përpara marrjes së drejtimit, kishte drejtuar Sektorin e Sigurisë Industriale.

Deri më tani nuk është bërë publik një argumentim zyrtar për arsyet e largimit të tij. Jani është përfolur edhe për mënyrën se si AKSIK ka administruar certifikatat e sigurisë gjatë drejtimit të tij. Në media janë ngritur pretendime se institucioni ka pajisur me certifikata sigurie persona të lidhur me kompani të përfshira në hetimet për çështjen e AKSHI-t.
Ndërkoh, në prill të vitit 2026 u publikuan akuza për mungesë transparence dhe parregullsi në disa procedura konkurrimi për poste drejtuese në institucion. Në të njëjtën kohë u ngritën shqetësime edhe për vonesa në përfundimin e procedurave për pajisjen me certifikata sigurie.
AKSIK është institucioni përgjegjës për mbrojtjen dhe sigurinë e informacionit të klasifikuar. Një prej funksioneve të tij kryesore është procesi i verifikimit të sigurisë dhe pajisja, refuzimi, pezullimi apo heqja e Certifikatës së Sigurisë së Personelit. Për shkak të natyrës së informacionit që administron dhe personave që certifikon, institucioni luan një rol të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së vendit.



