Aktualitet/LajmeBlog

Përse Edi Rama i mbush stadiumet me diasporën?

Nga Ylli Pata

Teoria e dërgimit me autobuzë nga Lezha apo Dibra në Milano e administratës, natyrisht që këtë herë bëhet me qesharake se të parën.

Por gjithsesi është e qartë sa ka një pjesë jo të vogël njerëzish, madje edhe në diasporë që nuk kanë shkuar në takimin me Edi Ramën. Nuk kanë shkuar se votojnë kundër tij, kanë votuar kundër e kanë të tjerë fansa politikë në Tiranë.

Një pjësë e këtyre kundërshtarëve, të ushqyer edhe nga kuzhina prpagandistike qëndrore në Tiranë, i bien daulles me një ritëm. “Janë komunistë”, thonin dikur, siç thonë mjaft edhe “të djathtë” në diasporën e SHBA që ushqehen nga media të financuara nga Tirana ku punojnë ish-shikas të Gazidedes. Këta zëra nuk lodhen së thëni se diaspora është e kuqe, është e mbushur me sigurimsa, komunistë, e tani përdorin fjalën padronazhistë.

Në fakt, ai që ideon gjithmonë këtë strategji balte apo sulmi, është personi që njeh realisht siç qëndron e vërteta. Nëse diaspora lejohet që të votohet në Shqipëri, rezultati apo diferenca e blloqeve politike mund të jetë dhe më e thellë.

E kjo ka një arsye të madhe, që ka një histori traumatike e dramatike, njëjtë me atë që kanë përjetuar breza të tërë të mërgatës shqiptare.

Është krejt e vërtetë që fluksi i parë i eksodeve të shqiptarëve drejt Perëndimit, duke nisur me ambasadat, e më pas me anijet në portin e Durrësit, ishin pjesë nga shqiptarët më të guximshëm, ku pjesa më e madhe e tyre ishte pjesë e shtresës së të përndjekurve politikë. Por fluksi më i madh dhe më masiv i emigracionit shqiptar që nuk shkoi as me anije e as me ambasada, është ai i periudhës 1992-1996. Shumica të ikur me gomone, ku mjaft kanë humbur jetën, e një pjesë tjetër me viza të blerë sa frëngu pulën, duke shitur gjithçka kishin.

Janë qindra mijë shqiptarë që për 4 vitet e para çanë ferrën kryesisht në Itali, pasi u larguan përdhunshëm nga puna në Shqipëri. Me një ligj gjenocidial: 24/1. Ushtarakë, inxhinierë, specialist të nivelit të lartë, që i dhanë Italisë një ekselencë të mendjes dhe zotësisë të punës. Pjesa më e madhe e tyre shkuan natyrisht në qendrën e veriun e Italisë: Nga Toskana, Emilia- Romagna, mbi të gjitha Lombardia e Piemonte, por edhe Veneto, Friuli Venezia Giulia apo edhe Alto Adige.

Mijëra specialistë më moshën më të mirë që njihnin që nga armatimet, por edhe fortifikimet, elektricitetin, minierat, lidhjet hidraulike apo ndërtimet që u kthyen në burim zhvillimi për rajonet veriore të Italisë. Ishin të gjithë të larguar nga puna pas 22 marsit 1992, me një koncept politik apartedial që u bë i famshëm me shprehjen e Safet Zhulalit: “Janë jeshil jashtë dhe të kuq brenda si shalqiri”.

Vetëm miniera e Bulqizës kishte 5 mijë punëtorë, ku specialistët më të aftë të saj: inxhinierë, teknikë, specialist, saldatorë e mekanikë emigruan dhe jetojnë në Italinë e Veriut.

Një drejtues shumë i lartë i ushtrisë shqiptare, general, i cili në 1992 ndodhi po në kupolën e Forcave të Armatosura, votoi më 22 mars të atij viti për Partinë Demokratike. Për ndryshimin natyrisht. Por sapo erdhën në krye “demokratët” jo thjesht e hoqën nga puna, por e çmobilizuan dhe e hodhën në rrugë gjeneralin që vinte nga një nga familjet më të mira të Shkodrës.

Ai, në kulmin e moshës aktive emigroi në Itali, në një qytet të Toskanës, ku punoi me ndërtim e meremetim siç kanë punuar shumica e emigrantëve në Perëndim.

Atje, në qytetin ku jetonte e punonte lidhi marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjithë. Të cilët që nga kryetari i bashkisë e qytetari më i thjeshtë e thërrisnin “gjeneral” dhe e nderonin ushtarakisht me respekt ditë për ditë.

Po ashtu ushtarakë të tjerë, inxhinierë të nxjerrë në rrugë, pasi minierat u morën nga horrat e rrugës, apo fabrikat u çuan për skrap. Shumica e tyre nuk kanë qenë socialistë, madje kanë votuar padyshim për PD më 22 mars 1992. Por pas nxjerrjes në rrugë, ata u bënë armiqtë më të fortë të Sali Berishës. Ky është brezi i parë, pastaj vjen ai i tragjedisë së 1997. Pasuesit e ngjarjeve rrëqethëse si mbytja e Katerit të Radës e të tjera, që ikën nga sytë këmbët me fëmijë e pleq sepse vendit ju vu flaka. Ky brez e ka më të freskët traumën. Nuk ishin thjesht të rinj; por familje normale, kryesisht intelektualë që u kërcënuan nga kaosi dhe bandat. Edhe një pjesë e tyre mund të mos ishin socialist, por ata Sali Berishën e kanë shënjestruar më fort se brezi i parë. Kjo armatë emigrantësh, përbën realisht pjesën më të madhe të diasporës sonë. Një pjesë mjaft e rëndësishme e tyre janë socialistë, pasi ata ishin të parët që e pësuan në ato vite pasi PD fitoi në vitin 1992. Ishin nga 27-45 vjeçarë atëherë e sot janë gjysha ose baballarë të rritur. Një pjesë e tyre u emocionuan kur kujtuan traumat e fillimit të viteve 90. Kur përveç Berishës, i braktisi edhe partia e tyre. Një nga këto emigrant është përshembull Gjin Shqalsi, një nga themeluesit e Forumit Eurosocialist Shqiptar. Student i shkëlqyer i Universitetit Bujqësor dhe madje edhe gazetar në të përditshmet e para që nisën në shtypin shqiptar.

Sot është një emigrant në Venezia, ku përveçse një profesionist me reputacion në qytetin që vizitohet nga miliona prej e gjithë botës, e bija e tij është e njohur si një aktore e rëndësishme në Itali.

Natyrisht këto janë raste, por që bashkuar tregojnë një periudhë historike që nuk mund të shuhet as me 24/1 e as me urdhër politik. Ata të gjithë janë njerëz realë, me frymë e mish, me familjet e tyre që sot janë trashëguar me nipa dhe mbesa. Edi Rama e di mirë natyrisht se kush është kjo pjesë e rëndësishme e diasporës shqiptare. Super e kualifikuar, me një diplomë në xhep dhe një përvojë punë e njohur në Perëndim. Me fëmijë e nipa ekselent në arritjet e tyre, ata janë të gjithë të pakënaqur me PS-në.

Në 1997-n, Fatos Nano mbushi sheshin Omonia me emigrantët shqiptarë, por PS nuk se bëri shumë për këtë pjesë të rëndësishme të saj. Në vitin 2021, Edi Rama përzgjodhi për kreun e qarkut Dibër Lavdrim Krashin, një nga themeluesit e FRESSH-it, një inxhinier mekanik me rezultate të larta që punoi vite e vite në pushtetin lokal në Londër. Ai është përfaqësuesi i vetëm i kësaj diaspore politike, e cila megjithatë nuk është e gjitha e tillë.

Diaspora shqiptare është shumë më e hapur se kaq, shumë më e ndryshme se një militim partiak. Dhe siç u pa, ka mjaft emigrant, brez i ri sidomos që vijnë nga familje jo socialiste që kërkojnë ndryshme dhe nuk janë të kënaqur me qeverinë e Edi Ramës. Kërkojnë ndryshime thelbësore.

Megjithatë, Edi Rama, me takimin me emigrantët, ka qëlluar në shenjë për t’ju përgjigjur fabulës së braktisjes së vendit, që e përdor thuajse e gjithë opozita; nga Basha te Berisha e Meta. Që thonë se fajtor është Edi Rama për largimin e tyre.

Rama, ndoshta për ta bërë më inkandeshente fushën politike e ka devijuar sheshin e betejës në diasporë. Ku së paku PS ka një një bazë jo thjesht të konturuar, por që ka treguar edhe fuqi reputacioni në territor. Nga ana tjetër deri tani askush nuk i është përgjigjur kësaj sfide. Por bomba e madhe, ose pjesa e dytë e kësaj ndeshje pritet në New York, Boston, apo Florida…Para zgjedhjeve për Presidentin e SHBA.

TemA

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button