Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka njoftuar rikthimin e Panairit të 27-të të Librit, një ngjarje e rëndësishme e librit në Shqipëri.
Dita e sotme, ishte çelja e këtij panairi, ndërkohë që kjo festë e librit do të vijojë deri më 17 nëntor, për t’u dhënë mundësi lexuesve të njihen me plot botime të reja.
Ky panair ishte gjithashtu viti i parë pa Ismail Kadarenë, një mungesë fizike, pasi emri dhe veprat e tij gjenden në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”.
E ftuar në emisionin “Ora e Betit”, në “Ora News”, ishte botuesja Rita Petro, e cila u shpreh se Panairi i Librit është një festë për të gjithë, sepse ka një lloj optimizmi.
“Mungesa e parë e Kadaresë është prekëse. Ai ka qenë një ndër ata shkrimtarë që deri ditën e fundit ka takuar njerëz. Nuk zgjodhi të ishte si ajo perëndia që mezi do e takonte dikush. Është një mungesë e madhe, pavarsisht se librat e tij do të jenë në çdo panair. Panairi është një festë e madhe për ne të gjithë. Ka një lloj optimizmi, sepse vijnë lexuesit dhe që shikojmë edhe veten në pasqyre se çfarë kemi bërë gjatë një viti”, tha Petro. A.K./TemA