
Nga Aurel Plasari-
Shpresoja të mos përsëritej edhe në këtë përvjetor të Kongresit të Alfabetit frika nga historia si këmbëngulje për t’i bishtnuar së vërtetës. Të mos vijohej me ripërtypjen gjithë siguri të “njësimit” të Alfabetit të gjuhës shqipe në Kongres, të një “alfabeti të vetëm” të Kongresit etj. Shpresoja, pasi faktet historike dëshmojnë ndryshe.
Komisioni i Alfabetit prej 11 anëtarësh, që përbëhej nga përfaqësues të tri alfabeteve kryesore në përdorim në atë kohë, – Gj. Fishta (kryetar), L. Gurakuqi, S. Peci, Mid’hat Frashëri, Sh. Kolonja, Dh. Buda, N. Mjeda, Gj. Qiriazi, B. Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka, – vendosën krijimin e një alfabeti “të ri” të shqipes me bazë atë latin. Ishte “i ri” ndër thonjëza, pasi shkrimi i shqipes me alfabetin latin e kishte tanimë një traditë, edhe pse në disa variante që ndryshonin për punë tri-katër shkronjash.
Mirëpo, në përfundim të Kongresit, për shkak të këmbënguljes së “stambollitëve”, u vendos që të lejohej përdorimi i dy alfabeteve, i “të riut” me bazë latine dhe i alfabetit të Stambollit, të modifikuar, që mbahej me përhapje sidomos në jugun e Shqipërisë dhe gëzonte mbështetje të fortë. Fundja, me të qenë shtypur një pjesë me shumë vlerë e botimeve të Rilindjes kombëtare
Pra: nga Kongresi i Manastirit shqiptarët dolën me dy alfabete, jo me një dhe pra jo me ndonjë “njësim” të Alfabetit të shqipes. Madje, nëse shihet vendimi i nënshkruar, alfabeti i Stambollit renditej me nr. 1, ndërsa ai me bazë latine me nr. 2. Jo vetëm kaq, por edhe vetë teksti i vendimit – lexojeni! – është shkruar me alfabetin e Stambollit dhe jo me “të riun”.
Padyshim që edhe thjeshtimi i çështjes së shkrimit të shqipes me dy alfabete ishte hap pozitiv, sepse hiqte nga qarkullimi një numër jo të vogël alfabetesh të tjera eksperimentale me të cilat ishte provuar të shkruhej shqipja deri në atë kohë duke i ndërlikuar tejmase marrëdhëniet me lexuesit.
Komisioni i Alfabetit shprehte besimin që koha – nënkuptohej zhvillimi i shkrimit të shqipes – do të zgjidhte më të mirin ndër dy alfabetet, si dhe më praktikun ndër të dy sidomos për arsye tipografike (shtypshkronjat).
As Kongresi i Dytë i Manastirit, që u mbajt nga 2 deri 3 prill 1910, nuk e zgjidhi dot çështjen e dy alfabeteve, por propozoi mbledhjen e një kongresi tjetër për njësimin e alfabetit.
Një kongres tjetër nuk qe i nevojshëm. Parashikimi i Komisionit të Alfabetit të Kongresit të 1908-s rezultoi realist dhe largpamës: rivalitetin mes dy alfabeteve e zgjidhi koha duke e hequr njërin syresh mënjanë për t’ia lënë historisë.



