Nga Luan Rama-
Eshtë bukur të ikësh nga kjo botë me dashurinë për Shqipërinë dhe përulësinë për atë çka ti i ke dhënë
—
Që kur profesor Asti Papa erdhi në Paris në vitin 2000 dhe u vendos pranë vajzave të tij, kam patur fatin ta njoh këtë njeri të shkencës të përkushtuar aq shumë ndaj vendit të tij. Takoheshim shpesh bashkë me dy miqtë e tij të vendosur prej kohësh në Francë, profesor Remzi Pernaska dhe profesorin tjetër Robert Progri, që të dy Doktor Shteti ne Francë, e po kështu me profesor Tomorr Plangaricën, etj, dhe padyshim në bisedat tona ishte gjithnjë Shqipëria, tranzicioni i saj i vështirë, ishte historia shqiptare, linguistika dhe shkenca mekanike apo ajo gjeologjike, pasi Asti Papa jetonte ende me profesionin e tij edhe pse në pension, pasi gjeologjia ishte pasioni i tij, studimet e pasurisë së nëntokës shqiptare, zonave vajgurore, udhëtimet nëpër male shqiptare nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, etj, për çka kontribuoi duke shkruar veprat e njohura “Fjalori i gjeologjisë”, “Harta e pasurive minerale shqiptare” etj. Atëherë përkthente veprën voluminoze “Turqia e Evropës” e akademikut të madh Ami Boué, që krahas vendeve të tjera i kushtonte një vend të veçantë Shqipërisë jo vetëm gjeografike e historike por dhe natyrale, gjeologjike, të trashëgimisë kulturore etj. Asti jetonte me historinë dhe kishte një kënaqësi të veçantë të shkëmbenim mendimet tona. Idhulli i tij i demokracisë dukej se ishte Raymond Aron, duke përkthyer njëkohësisht veprën e tij. Dhe ishte e habitshme sepse ai kishte një kujtesë të jashtëzakonshme. Më kujtohet kur i kërkova të përkthente kujtimet e Justin Godart nga frëngjishtja në shqip, libër që më vonë do ta botoja vetë në origjinalin e tij në frëngjisht. Ky dorëshkrim i pabotuar ndonjëherë kishte një problem të madh pasi emrat e personaliteteve të shumta shqiptare që përmend Godart kur përshkruan udhëtimet e tij të shpeshta nëpër Shqipëri, ai i kishte shkruar siç i kishte dëgjuar fonetikisht, çka për një lexues shqiptar do të ishin emra të pakuptueshëm. Por në saj të memorjes së tij të asaj kohe, dhe veçanërisht të kërkimit historik mbi personalitetet historike që korrespondonin me vendin dhe kohën, bëri të na i sjellë me besnikëri ata. Po kështu, ai trishtohej kur ndonjë botues gjatë redaktimit ia hiqte shpjegimet në fund të faqes për personalitetet në fjalë apo ngjarjet historike por mjerisht ata nuk arrinin ta kuptonin se pikërisht ato e vendosnin ngjarjen në kohë dhe e ndihmonin lexuesin të njihte se cilët ishin personalitetet e huaja të cituar në libër. Shumë shkrime të tij publiçistike botoheshin në shtypin e kësaj periudhe, shkrime për të cilat i bisedonim sëbashku. Një energji të habitshme ndjeje tek ky njeri, që ndërmerrte dhe përkthime për të cilat duhej një punë disa vjeçare siç ishte dhe botimi voluminoz i veprës “Perandoria Osmane” në gjuhën shqipe.
Pikërisht puna e tij studimore nëpër dekada, përkushtimi ndaj shkencës e kishte mbrojtur këtë njeri nga ideologjia e politikës totalitare që sundoi për afro gjysmë shekulli. Takoheshim bashkë në Plaisance si dhe në Alesia të Parisit, dhe bashkë me dy miqtë tanë në kafenetë e Strasbourg Saint-Denis, të shtunave apo të djelave. Shpesh na përmendte gjeologun e njohur francez Jacques Bourcart, i cili kishte qenë në Shqipëri gjatë Luftës së i Botërore në Ushtrinë e Orientit dhe kishte botuar studime për Shqipërinë, për çka dhe Asti i kushtoi studime figurës së këtij miku të madh të Shqipërisë. Kujtimet e tij nga koha e luftës ishin të shumta, njerëzit e Rezistencës si Enver Sazani etj, dhe veçanërisht për një personalitet mjaft të nohur si Nako Spiru, të cilin e kishte njohur nga afër, si durrsakë dhe familje të afërta. Ishin paradite të mrekullueshme dhe Shqipëria ishte aty në ato kafene parisiane. Gjatë këtyre viteve të jetës së tij, Asti ia kushtoi familjes, por dhe shkencës, librit, i rrethuar gjithnjë me letërsinë shqiptare dhe atë të huaj, një bibliotekë vërtetë. Poliglot dhe skrupoloz në punën studimore të tij, por dhe metodik, duke punuar çdo ditë më veprat e ndryshme të cilave i përkushtohej ai punoi gjer në fund të jetës së tij edhe pse vitet e fundit sëmundja e rëndoi. Vdekja e Profesor Pernaskës dhe të Profesor Progrit e trishtoi shumë. E megjithatë ai vazhdoi me shkrimet e tij duke bashkëpunuar më së shumti me shtëpinë botuese “Dituria” në Tiranë. Biseda interesante zhvillonim rreth një personaliteti mjaft simpatik të letërsisë franceze, Valery Larbaud, për të cilin kisha botuar një shkrim duke përdorur disa nga kujtimet e udhëtimit të tij në Shqipëri të “Una settimana Albanese”. Por Asti, e përktheu në shqip gjithë përshkrimin e vizitës së Larbaud në Shqipëri dhe e botoi si libër më vete në botimet “Dituria”.
Katër ditë para vdekjes së tij i kisha shkruar Evës, vajzës së tij, duke e pyetur për shëndetin dhe se kisha dëshirë të bisedoja me të, por i lodhur nga sëmundja më së fundi ai shkoi. Fotografia e tij në shtrat dhe vajza që i lexonte vjersha të Lasgush Poradecit më preku shumë. Padyshim vjersha dashurie dhe filozofike me “Vallja e Yjeve”, “Vdekja e Nositit”, etj, vargje për botën, kozmosin, gjithësinë dhe evolucionin e vetë jetës, lindja, vdekja dhe përsëri lindja, por jo Hiçi. Kjo e fundit nuk ekzistonte për Asti Papën, pasi ky ishte koncepti i tij për jetën: çfarë mund ti japë shoqërisë ekzistenca e një njeriu! Dhe ai dha diçka kuptimplote të qenies së tij.
Asti Papa iku i lumtur, me sytë e bukur të nipërve dhe mbesave, me sytë e paqtë të Nerimanit, gruas së tij besnike që i qëndroi pranë gjer në frymën e fundit, me sytë e tre vajzave, eksperte të njohura në fusha të ndryshme, çka ishte dhe sodisfaksioni më i madh në jetën e tij. Po, Asti Papa, ishte shtrirë në shtratin e një dashurie të madhe…Një dashuri dhe kujtim që nuk shlyhet. E kështu i shtrirë, mbuluar me dashuri dhe « yllësitë » lasgushiane ai mori udhëtimin e tij të fundit. E përshëndetëm sot me emocion në varrezat e Chelles pranë Parisit, përshëndetëm largimin nga gjiri ynë, largimin e njeriut të mrekullueshëm, eruditit dhe njeriut të palodhur që për tre dekada spikati në komunitetin shqiptar të Parisit dhe që u kthye në një mesazher i vërtetë midis dy kulturave: shqiptare dhe franceze. E përcollëm me psalmin e bukur : “Maintenant Seigneur / tu peux me laisser m’en aller dans la paix / Maintenant le Seigner/ Tu peux me laisser se reposer…” Le ta lemë në udhëtimin e tij, të paqtë e të lumtur, nën tingujt e Ave Maria-s të Schubert dhe me këngën e tij të dashur të Limos Dizdarit, kënduar nga Gaqo Cako “Këputa një këngë dafine”… të ikë ngadalë me vështrimin e dhimbur të Nerimanit të tij dhe me kujtimet e pashlyera në kujtesën tonë si dhe atë imazh të paharrueshëm tek dëgjonte vargjet e Lasgushit ku poeti vargëzonte: “Se malli jon’ ishte zotërim / që robëron përgjithmonë / se s’dashuroja – as un’ as ti / po dashuronte dashurija : / një dashuri – një fshehtësi / m’e fshehtë sesa fshehtësia…”.