
Nga Muharrem Jakupi-
Në kuadër të atmosferës festive të nëntorit dhe javës së alfabetit, z. Bajram Begaj zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Gjirokastër, ku mori pjesë në një takim për gjuhën shqipe, organizuar nga shoqata atdhetare “Labëria” dhe Universiteti “Eqerem Çabej”. Ndër të tjera, Presidenti e vlerësoi gjuhën shqipe “si një prej artefakteve më të çmuara shpirtërore që kemi” dhe përcolli mesazhe për ruajtjen e pasurimin e gjuhës, duke e cilësuar atë si “shpirti dhe ashti i kombit shqiptar” (gazeta TemA).
Nëse këtë frazë presidenciale, sipas së cilës “gjuha shqipe është shpirti dhe ashti i kombit shqiptar”, do ta merrnim jo si klishe festive, por si shprehje që pretendon të thotë një “të vërtetë”, atëherë unë nuk mund ta vlerësoj ndryshe veçse si një pohim joshkencor, madje antishkencor, sepse shprehja e redukton kombin në një qenie mistiko-biologjike, me “shpirt” metafizik dhe “asht” trupor, duke përjashtuar krejt faktin elementar se kombi nuk është as kockë, as shpirt, por konstrukt historik, politik e kulturor, i ndërtuar përmes institucioneve, mediave, ekonomisë, shkollimit, dhe jo përmes ndonjë esence të tejdukshme etnike.
Gjuha, në studimet moderne, nuk është “shpirti” i askujt, por mjet komunikimi e simbolizimi, instrument për krijimin e përkatësisë, një faktor mes të tjerëve. Ajo nuk është as mishërim mistik i kombit, as “relike” e paprekshme. Po ta marrësh seriozisht metaforën, del se kush vë në dyshim politikën gjuhësore, standardin, reformën drejtshkrimore apo hapjen ndaj shumëgjuhësisë, paska guxuar të prekë “shpirtin dhe ashtin e kombit”, pra bën herezi kombëtare!
Këtu nis antishkencorja: një figurë poetike, e kornizuar si “domethënie e thellë” në gojën e kreut të shtetit, shndërrohet në imunitet ideologjik kundër çdo pyetjeje kritike. Ajo e shenjtëron gjuhën dhe alfabetin në vend që t’i trajtojë si produkte historike, të vendosura nga kuvende njerëzish në rrethana konkrete. Nëse e marrim seriozisht logjikën e tij, Kongresi i Manastirit, duke caktuar një alfabet, paska bërë transplant të “shpirtit të kombit”. E njëjta gjë rrjedh të thuhet edhe për Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972: meqë gjuha është “shpirti dhe ashti i kombit”, atëherë çdo reformë ortografike, çdo standardizim, çdo rregullim normativ paska ndryshuar jo thjesht mjetin e të shkruarit, por vetë shpirtin dhe skeletin e kombit! Dhe kështu na del se para Manastirit kishim një shpirt, pas Manastirit një shpirt tjetër, pas vitit 1972 një shpirt edhe më të ri – qenkemi një komb që ndërroka “shpirt” sa herë ndryshon alfabetin apo drejtshkrimin!
Paradoksi është se një frazë e tillë, e paraqitur si poezi patriotike nga foltorja zyrtare, përfundon në një shprehje alogjike: ose gjuha nuk është kurrsesi “shpirti dhe ashti i kombit”, ose kombi shqiptar, sipas këtij vizioni, është një trup në sallën e operacionit, të cilit kuvendet e alfabetit i bëjnë herë pas here transplant shpirtëror e ortopedik.



