Aktualitet/LajmeKryesoreSociale

Në 2023, 2500 lindje më pak/ Në pesë qarqe ka pasur më shumë vdekje se sa lindje

Në tremujorin e katërt të vitit shtesa natyrore e popullsisë ishte pozitive, ndërsa pati 1 038 lindje më shumë se vdekje.

Por, normat e lindshmërisë janë më të ulëta me 7.6% shprehet INSTAT, ndërsa merita për shtesën pozitive të popullsisë vjen vetëm si shkak i uljes së vdekshmërisë me 10.5%.

Ndërkohë, sipas INSTAT, gjatë tremujorit të katërt vetëm shtatë qarqe regjistruan rritje natyrore pozitive, ndërsa në pesë të tjera më shumë kishte vdekje se sa lindje. Numri më i lartë i vdekjeve u regjistrua në qarkun e Korçës, ndërsa të tjerat përfshijnë Gjirokastrën, Beratin, Vlorën dhe Fierin. Shtesa negative në Fier, qarku i dytë më i madh me numër popullsie pas kryeqytetit, jep një alarm të fortë për projeksionet e ardhshme të popullsisë.

Ndërkohë Tirana dhe Durrësi janë dy qarqet me shtimin më të shpejtë të popullsisë.

Të dhënat vjetore të INSTAT tregojnë se në të gjithë vendin lindën 22,210 foshnja, me një rënie vjetore 10 % apo rreth 2500 foshnja më pak se një vit më parë. Kjo është rënia më e fortë e lindshmërisë në 30 vitet e fundit. Qarqet me lindshmërinë më të ulët rezultuan Gjirokastra, Kukësi dhe Berati.

Rënia e lindshmërisë dhe emigracioni po bën që vendi ynë të plaket me ritme të shpejta. Në 1 janarin e 2023-it në vendin tonë u regjistruan 2.76 milionë njerëz, një reduktim me 15% nga viti 1990. Në qershor të këtij viti pritet të publikohen dhe rezultatet e CENS-it.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button