Mision sekret për Giorgia Melonin në SHBA. Kryeministrja italiane u nis drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar presidentin e zgjedhur Donald Trump.
Një takim ballë për ballë që vjen dy javë para se manjati të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë dhe paraprin edhe vizitën e Joe Biden në Itali për disa ditë.
Nuk përjashtohet që baza e misionit në SHBA të jetë afera e gazetares italiane, Cecilia Sala, e cila është në duart e qeverisë iraniane që prej 19 dhjetorit.
Avioni i kryeministres u ngrit mëngjesin e sotëm pak pas orës 11:00 dhe pas një ndalese teknike në Aeroportin Ndërkombëtar Shannon në Irlandë, rifilloi udhëtimin.
Ndërkohë, pak para orës 20:00, përfaqësuesi i Elon Musk në Itali, Andrea Stroppa, ka publikuar një postim në X me flamujt e Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, shoqëruar me një imazh të prodhuar me inteligjencë artificiale, ku shihen Meloni, Trump dhe Musk, të veshur me veshje të lashta romake.