BlogKryesoreKultureKuriozitete

Manastiri San Nilo në Grottaferrata e murgjërit arbëresh

Nga Hasan Aliaj-
Prej kohësh kam menduar se e njoh në çdo detaj Manastirin e San Nilos të Grottaferatës, por, të them të drejtën, gjatë gjithë kësaj periudhe qëndrimi në këtë vend të mrekullueshëm më kanë befasuar dy fakte të reja, të panjohura, që ndodhen në këtë truall fetar.
E para janë shkrimet arkaike në gjuhën arbërore, të ndodhura në Muzeun e Manastirit (i cili, për motive të ndryshme, prej kohësh ka qenë i mbyllur), por falë vizitës dhe mprehtësisë së dy miqve të mi, z. Artan Shkreli dhe Oltjon Muzaka, u njohëm nga afër me ato shënime e figura që flasin qartë e saktë për origjinën e tyre arbërore, të cilën e konsideroj një zbulim.
Këto shkrime, që datojnë rreth vitit 1500, janë shkruar prej ushtarëve stradiotë, të cilët ishin në shërbim të Mbretit të Napolit, me origjinë arbërore, dhe që për disa ditë u strehuan në Manastir. Këtë fakt e ka përshkruar bukur e rrjedhshëm z. Angelo D’Ottavi në një shkrim të publikuar në gazetën tonë “Rrënjët”.
Në këtë pikë është interesant fakti se prej kohësh kemi pritur gjuhëtarët arbërorë për t’i analizuar shkencërisht e gjuhësisht, me detaje, këto shënime, të cilat edhe sot ndodhen në muret e Muzeut të Manastirit San Nilo. Ato janë në pritje, por askush s’e merr mundimin të merret me studimin dhe deshifrimin e tyre. Një heshtje pa precedent dhe e pakuptimtë!
Rasti tjetër është pamja magjepsëse në pjesën e pasme të Manastirit. Para se të fillonin punimet dhe aktiviteti interesant e me vlerë historike për firmosjen e protokollit nga kryetarët e bashkive që përshkruhen nga Rruga Latina, e cila daton prej shekullit të III para Krishtit, u ndodha në sheshin jashtë, duke vëzhguar me kureshtje dhe imtësi Manastirin dhe muret e tij fortifikuese në pjesën e pasme. Një mrekulli e vërtetë!
Na ndodh shpesh që Manastirin ta këndvështrojmë nga përpara dhe nga brendësia, por harrojmë se rreth tij ekzistojnë, në heshtje, këto pamje mbresëlënëse: muret fortifikuese, qendrat e vrojtimit, të ndërtuara me një stil dhe arkitekturë të veçantë të viteve 1400–1500, të cilat po jua paraqes. Instinktivisht më lind pyetja: sa mirë do të ishte që midis Manastirit dhe Bashkisë të hartohej një projekt i mirëfilltë dhe i detajuar, që të krijohej mundësia që ky Manastir të vizitohej nga turistët e shumtë rreth e rrotull, ku qëndrojnë në heshtje këto pamje magjepsëse që mbartin mbi shpinë shumë histori?
Jam i bindur se, nëse do të krijohet kjo mundësi, turizmi në Grottaferata do të marrë përparësi dhe prej saj do të kemi zhvillim dhe mirëqenie të madhe. Manastiri prej kohësh ka filluar të hapet ndryshe nga vitet e tjera; kjo shihet qartë në çdo pikë, dhe le të shërbejë kjo hapje në shërbim të qytetit, komunitetit dhe vetë Manastirit, i cili mbart një pasuri të çmuar.
Falë natyrës së bukur, gjelbërimit dhe ajrit të freskët në çdo stinë, ne kemi këtë mrekulli që i ka rezistuar shekujve dhe, pikërisht për çfarë përmban, duhet të dimë ta shfrytëzojmë dhe ta kurojmë në çdo aspekt. Duke njohur intelektin, dëshirën e mirë që Grottaferata të jetë një qytet modern dhe dashurinë e pakufijshme për Manastirin të kryetarit Di Bernardo, jam i bindur se gjithçka është e realizueshme.
Më është bërë e natyrshme që në çdo shkrim të flas dhe t’u kujtoj murgeshërit arbëreshë, dhe pikërisht këtë shkrim ua dedikoj atyre, të cilët për katër shekuj na kanë lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme: historike, gjuhësore, albanologjike, liturgjike… Në monografinë që po përgatisim bashkë me z. Callogero Raviota do të pasqyrohet gjerësisht jeta dhe vepra e tyre ndër shekuj, në shërbim të Grottaferratës, Manastirit dhe Botës arbërore.

Artikuj të lidhur

Back to top button