BlogKryesoreKulture

Lasgushi, artist në gjithçka

 

Nga Çapajev Gjokutaj-

 

Lasgushin e kam njohur herët, duhet të kem qenë në të katërtën e fillores kur zonjushe Saideja na dha të mësonim përmendësh një nga vjershat e tij. Vite më vonë do iu bashkohesha atyre që mendonin se kjo vjershë ishte nga më të dobëtat e tij, por atëmot më pat magjepsur me ritmin lodrues që kishte diçka nga rrotullimi: ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë/ nga çdo anë seç na ardhë/ shqipëtarët gunëbardhë/ seç na ardhë palë-palë/ duke rutulluar malë/ kush më këmb’e kush më kalë/ kush më shpejt, kush më ngadalë.
Në shkollën e mesme një shoqe do më huante ‘Vallja e yjeve’ që do ta kopjoja fund e krye meqë duhej t’ia ktheja të nesërmen se e kishte marrë pa leje nga biblioteka e të ungjit. Javët e muajt që pasuan s’nginjesha duke i lexuar e rilexuar vjershat që ishin dhe fjalë dhe melodi, dhe imazh dhe ritëm.
Nëse Lasgushin e njoha herët, Llazar Gushon do ta njihja relativisht vonë, në fund të viteve 1960, kur sapo kisha ardhur në Tiranë për të vazhduar studimet. Një mbasdite vjeshte me shi dhe erë, u ula në hollin e biblotekës kombëtare ku në një kënd mund të lexoje shtypin e ditës.
Harallamb Qesko, emër kumbues ke, dëgjova të thoshte një i moshuar që po i afrohej lexuesit përballë meje. Dhe pa mbaruar përshëndetjen ia dha: nga Lasgushi ke të fala, ca të nxehta ca të vala, ca të vala ca të nxehta, tungjatjeta, tungjatjeta. Tani sa e bëra.
Burim që buron je, e komplementoi tjetri. Buron e gurgullon, ia priti Lasgushi dhe unë s’dija të thoshja, po mburrej apo thjesht po bënte rima.
Në imagjinatën time rinore kisha krijuar imazhin e një Lasgushi ideal, gati gati qiellor. Ky që u shfaq krejt papritur atë mbasite vjeshte vështirë se kishte gjë të përbashkët me përfytyrimin tim. Jo vetëm që qënkej një plak i zakonshëm po edhe mburrej për ca vargëzime të rëndomta.
Më vonë, gjatë kohës që bëja gazetarin, do ta takoja disa herë vetëm për vetëm dhe do bindesha se bënte pjesë në ata njerëz që janë artistë në krijimtari dhe artistë në sjellje e veçanërisht në mënyrën sesi i përjetojnë gjërat.
Dhe do bindesha se diferenca mes Llazar Gushos e Lasgushit ishte shumë më e vogël sesa më ishte dukur atë pasdite vjeshte, kur po shfletoja shtypin e ditës dhe kur çorapet e bëra qull nga shiu më krijonin një ndjenjë bezdie.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button