Aktualitet/LajmeBlogKryesoreNdodhiOpinionsRajoni

Lamtumire mendje e lartesishme e kombit, Prof.Rexhep Qosja!

Nga  Aleksandër Çipa-
Profesor Rexhep Qosja iku. (Vetëm në Kosovë e drejtpërdorin këtë folje në marrëdhënien me njeriun). (!)
Zgjodhi të bëhet lajm publik njoftimi i ikjes, pa dëshirën e tij, në Ditën ndërkombëtare të librit. ( E ku mund të gjendet një përkim i tillë dite, mes personit më meritor për bashkëjetesën dhe bashkëudhëtimin me librin?!)
Dhe familja e publikoi lajmin, me foton e përcjelljes në mesin e bibliotekës personale, në banesën e vet në Prishtinë…
Profesor Qosja mbetet zëri i pakohë i një “Populli të ndaluar”, sikundër ka qenë populli ynë.
Akademiku u bë interpret dhe zë i ndërgjegjes së shqetësuar kombëtare shqiptare.
Mbetet krijues dhe studiues i formatit europian dhe një mendje e ndërkombëtarizuar për shkak të cilësisë dhe zotësive interpretuese që pati, përmes mendimit dhe ligjërimeve vetiake.
Profesori mbetet intelektuali që u përball me “kimerën e egër” të mediumeve të fqinjëve dhe trishtueshëm edhe tonave. (!)…
Profesori mbetet mentori i një vizioni të përjetshëm për identitetin dhe unitetin shpëtues kombëtar të shqiptarëve.
Akademik Qosja u lartësua, si lartësor në mendje, sa herë që tramundanat e fatit historik të kombit shqiptar, të Kosovës dhe Shqipërisë, goditën pa mëshirë dhe na ndëshkuan me pikëllima dëshpërimtare.
Me imazhin e rilindasit naimjan, në kohë pas naimjane, dhe me mendjen e kalibruar të intelektualit dhe filologut të cilësishëm e sharmant, na e la të nënkuptueshme ikjen në paqen e Vetmevetes, si shkrimtar i përkorë.
Lamtumirë Profesor!
Na dhe ndërgjegje dhe na e bëre estetikisht edhe më të bukur gjuhën tonë amtare Shqipe.
Mirënjohje gjer të “nesërmen e shkuar”!!!

Artikuj të lidhur

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button