Nga Enver Robelli-
Ishte e pamundur të mos e vëreje Fatmir Bajramin kur hyje në ndonjë kafehane të Prishtinës. Me flokë të argjendtë, me një fytyrë të hapur, të qeshur e fisnike, çdo gjë që ai rrezatonte ishte mirësi e dashamirësi. Një zotni i Kosovës, i veshur bukur, shpesh me xhinse dhe me një këmishë me kuti.
Kur u lind në Prishtinë më 1949, shumica e fëmijëve në Kosovë pagëzoheshin me emra si Hasan e Hysen, ndërsa prindërit e tij e quajtën Fatmir. Jo vetëm fati i mirë, por edhe talenti për të dalluar të bukurën e çoi në Paris, në kryeqytetin e Francës. Atje studioi dhe përsosi profesionin e kameramanit. Dhe u kthye në Kosovë për të filluar punën në Radio-Televizionin e Prishtinës (RTP) më 1975, një vit pasi Kosova kishte arritur të fitojë një autonomi që mundësoi transformimin, reformimin, industrializimin dhe iluminimin e shoqërisë brenda pak kohësh.
Me kamerën e tij Fatmir Bajrami dokumentoi përditshmërinë kosovare – nga Festivali i Folklorit në Gllogovc më 1981 deri te vitet e luftës për liri, kur për televizionin France 2 (e edhe për emisionin e njohur “Rundschau” të televizionit publik të Zvicrës) dëshmoi për krimet e mëdha të luftës që regjimi i Beogradit kryente mbi shqiptarët e Kosovës.
Si qindra kolegë të tij nga fusha e medias edhe Fatmir Bajrami në fillim të viteve 90-të u përjashtua nga puna, por s’u dorëzua kurrë. Qëndroi. Bashkë me familjen e tij, bashkë me gruan e tij, Silvin, francezen aq të sjellshme. Si çift ata i dhuruan Prishtinës një copëz sharm të Parisit, sidomos në një kohë kur kryeqyteti i Kosovës po përpiqej të braktiste pamjen e kasabasë postosmane.
Me shembullin e tij, me profesionalizmin e tij, me impulset e tij, me idetë e tij, Fatmir Bajrami inspiroi shumë kolegë të tij. Ai i përkiste një gjenerate që punoi shumë për Kosovën dhe Kosova iu “falënderua” kësaj gjenerate me ftohtësi të turpshme dhe pensione edhe më të turpshme. Por njerëz si Fatmiri dinin t’ia ruanin dinjtetin vetes. Edhe kur dëshpërohej me ndonjë zhvillim politik apo shoqëror, ai kritikën e formulonte me një dozë optimizmi.
Tash, kur do të hyjë në ndonjërën nga kafehanet e Prishtinës, do e kërkoj me sy Fatmir Bajramin. Një karrige do të jetë e zbrazët. Një njeri do të mungojë. Një copëz bujare e Kosovës do të lë një boshllëk të madh. Fizikisht ai nuk do të jetë aty, “Te Martini”, “Te Tirona”, “Te Shoki”, por fryma e tij, shpirti i tij, kureshtja e tij, malli i tij për një takim të shumëpritur – të gjitha këto do të jenë të pranishme. Përgjithmonë.
Libri më i rëndësishëm, është libri i jetës vetë,
Që s’mbyllet dot e s’çelet kur qefi të ta ketë;
Peizazhi interesant aty dy herë s’lexohet,
Se fleta e pashmangshme vetiu rrotullohet;
Të ktheheshim do deshëm te faqja që na ka ënda,
Dhe ja ku na zë gishti, faqen me vdekjen brenda.
Këto vargje i ka shkruar poeti dhe politikani francez Alphonse de Lamartine, mik i shkrimtarit të madh shqiptar Jeronim De Rada.
Udhëtim të lehtë, Fatmir!
Në foto: Fatmir dhe Silvi (Bajrami) në Paris më 1973.