Aktualitet/LajmeBota

Kryeministri çek: Ukraina ka të drejtë të sulmojë Rusinë me armët e Perëndimit

Qeveria e Çekisë ka reaguar në linjë me thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që Ukraina të lejohet të përdorë armët e Perëndimit për të kryer sulme brenda territorit rus.

“Si një shtet nën sulm, Ukraina e ka çdo të drejtë t’i përdorë të gjitha mjetet e mbrojtjes”, ka thënë kryeministri Petr Fiala të martën në Pragë, duke e përshkruar këtë qëndrim si “thjesht logjik”.

Sulmet ndaj shënjestrave ushtarake në Rusi, nga ana e Ukrainës, parashihen edhe prej ligjit ndërkombëtar, në kuadër të mbrojtjes, vlerësojnë ekspertë të ligjeve të luftës.

Mirëpo disa shtete të Perëndimit që mbështesin Ukrainën, sikurse Gjermania, kanë doza hezitimi.

Këto kryeqytete shqetësohen që nëse Kievi përdor armët e avancuara të Perëndimit për të sulmuar territorin rus, diçka e tillë do të interpretohet prej Moskës si përfshirë direkte e këtyre shteteve në luftë.

Fiala ka thënë se Ukraina po përballet me moment kyç aktualisht, pasi strategjia e forcave ruse për të kryer sulme përgjatë vijës kufitare në veri, në pjesën e Harkivit, mëton të hapë front të ri të luftës.

Aktualisht, Republika Çeke është në krye të iniciativës për të blerë 800.000 predha artilerie për Ukrainën, prej shteteve jashtë Bashkimit Evropian.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button