Aktualitet/LajmePolitike

Jo vetëm “Partizani”, avokati paralajmëron 7 raste të tjera kundër Berishës: Do të shkojë në burg!

Avokati Idajet Beqiri paralajmëroi dosje të tjera të nxehta për kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha, familjarët e tij dhe persona të tjerë në skandale dhe abuzime financiare të ngjashme me atë të aferës në dosjen “Partizani”.

Por duke mos dhënë detaje nga këto çështje për shkak edhe të sekretit, ai nënvizoi në emisionin “Studio Live’ të Report TV, se janë po aq të forta sa dosja që ndodhet në GJKKO. Beqiri foli edhe për denoncimin e radhës që i ka bërë Berishës në SPAK për çështjen e falsifikimit të datëlindjes, që nuk e ka deklaruar këtë ndryshim në formularin e Dekriminalizimit në dy raste. Sipas ligjit, ai sqaroi se duhet t’i hiqet mandati i deputetit nga KQZ.

“Ka ndryshuar dhe falsifikuar ditëlindjen nga 1 korrik, në 15 tetor, falsifikoi datëlindjen, kallëzimi i bërë dhe regjistruar në SPAK. Nuk është vetëm falsifikim, por edhe mosdeklarim në formularin e Dekriminalizimit, që duhet ta kishte bërë dy herë. Ne nuk kemi KQZ, por po të kishim do ndodhte si me kryebashkiakun e Shkodrës, edhe ky e ka bërë dy herë të njëjtën gjë e duhet t’i hiqte mandatin. Kam akte zyrtare për këtë, nga Gjendja Civile, të firmosura dhe të vulosura, nuk janë fjalë”, u shpreh ai sot në Report TV.

Por më tej shpjegoi se këto çështje nuk janë asgjë para të tjerave që po vijnë dhe do bëhen të ditura së shpejti.

“Berisha i dha dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi me një firmë dhe vendim VKM 50 milionë euro. Nuk është vetëm çështja “Partizani” se si ai i fali tokat për dhëndrin e tij, por do shohin edhe 7 komplekse të tjera si ‘Partizani’, ku Argita Berisha, me mikeshën e saj, kunatin e Bashës dhe të tjerë, që kanë bërë 7 veprime të ngjashme, me lejet e ndërtimit, me faturat e të tjera, dhe se sa lekë u kanë marrë për to. Shumë shpejt do i dëgjoni. Ai do bëjë burg! shkon e vjen në SPAK, do shkojë edhe në burg!”, thotë avokati.

Në ndërhyrjen që bëri gjatë debatit në studio për deklaratat e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj nga arratia, avokati Idajet Beqiri e cilësoi atë si ‘kryekriminel’ që kërkon azil.

“Ish-zv/kryeministri është një kriminel që nuk la gjë pa bërë, duke nisur nga implulset telefonike atëherë kur ishte në drejtim, me 20 mln euro dëm. Ai po i nxjerr këto se do azilin politik, por nuk do e marri dot. Nuk do e marrë sepse aferat që ai ka bërë me dhëndrin e Hajredin Celikut nuk llogaritet, po ia përmend edhe emrin këtu, çfarë nuk ka bërë ai njeri, ai është kriminel”, përfundoi avokati.

Artikuj të lidhur

Back to top button