Aktualitet/LajmeKryesoreSociale

Jeta në fshatin Borje të Shqipërisë!

Uji që rrjedh në kanalin në anë të rrugës prish qetësinë e mëngjesit në fshatin Borje, në veri të Shqipërisë. Një kafene e vogël në qendër të tij ishte pothuajse e zbrazët në një paradite të fund-dhjetorit. Ka dhjetë vjet që Biljana Jonuzi e ka hapur atë bashkë me bashkëshortin.

“Pak kemi punë se nuk ka njerëz”, thotë Biljana teksa rregullon shaminë me ngjyra, e cila karakterizon shumicën e grave në zonë.

E lindur dhe e rritur në Borje, 61-vjeçarja kujton se shumë bashkëfshatarë të saj, e sidomos të rinj, kanë migruar nga fshati.

“Ikin të gjithë në Gjermani, në Angli, në Itali… Kemi mbetur vetëm pleq”, thotë Biljana për Radion Evropa e Lirë.

Mungesa e vendeve të punës, por edhe pozita e izoluar e fshatit janë, sipas saj, arsyet kryesore të migrimit të banorëve me etni kryesisht gorane. Sipas Bashkësisë së Kukësit nga ky fshat kanë migruar rreth 300 banorë.

Në gjithë Shqipërinë, vetëm gjatë këtij viti kanë migruar afër 14 mijë qytetarë në formë legale, tregojnë të dhënat zyrtare. Fshati malor i Borjes me rreth 900 banorë gjendet rreth 2 kilometra larg kufirit me Kosovën, ndërsa qytetin më të afërt të Shqipërisë, Kukësin, e ka rreth 30 kilometra larg.

Një banore e fshatit Borje duke dalë nga ahuri i bagëtive.

“Rruga për në Kukës është skandal”, tregon Biljana, duke përshkruar rrugën e pashtruar që, sipas saj, do rreth një orë kohë për ta përshkuar me veturë.

Kështu, banorët e këtij fshati varen kryesisht nga Kosova, si për pazare, ashtu edhe për shërbime të tjera. Destinacion më i shpeshtë i borjanëve është Dragashi – qytet në jug të Kosovës. Disa nga ta përdorin vetura private, të tjerë përdorin minibusë të bashkëfshatarëve që nisen çdo ditë nga Borja rreth orës 6 të mëngjesit.

Pika kufitare mes Kosovës e Shqipërisë në këtë fshat u hap në vitin 2009. Ajo shërben vetëm për kalimin e banorëve lokalë në të dyja anët e kufirit – në një distancë prej 15 kilometrash nga pika kufitare. Aty nuk është paraparë të qarkullojnë mallra në vlerë të madhe.

Kjo i shkakton probleme Texhbid Behlulit, pronar i një shitoreje në fshat që shet shumë lloje të mallrave – nga turshitë deri te veglat për punë.

“[Djali], tani është në Kukës, ka shkuar, do të furnizohet me mall… [Ndonjëherë furnizohet] edhe pak këtej nga Kosova. Nganjëherë i bëjnë [probleme], pse të furnizohesh e andej-këtej”, thotë Texhbidi për Radion Evropa e Lirë.

Ky 85-vjeçar thotë se e siguron disi jetesën me këtë biznes, por se puna po i pakësohet gjithnjë e më shumë.

Megjithatë, banorët e qendrës që kanë biznese, thonë se janë me fat që nuk varen vetëm nga bujqësia, me të cilën merret një pjesë e banorëve të fshatit, më larg nga qendra. Përpjetë në fshat pakësohen rrugët me gurë dhe shtohen shtëpitë e ndërtuara me këtë material. Një të tillë e ka edhe Sadet Aliaj, i cili po e nxirrte jashtë oborrit kalin e tij ngjyrë kafeje.

“Me [kalin] lëroj, punoj, bart dru, pleh… Të gjitha i bën ky”, thotë Sadeti.

Bagëti, e sidomos kuaj e mushka, mund të shihen gjithkund nëpër rrugët e Borjes. Veç tjerash, ato bartin edhe të mbjellat e fshatarëve, që kryesisht janë patatet. Por, gjatë verës, kultivojnë edhe lule e bimë aromatike, të cilat më pas i shesin në Kosovë. Nga patatja që e mbjell çdo vit, Shate Palinci thotë se sivjet nuk pati shumë fitim.

“Pak kemi sivjet, i ka ngrënë derri i egër”, ankohet ajo, duke i përgatitur disa nga patatet e vogla për t’ua dhënë bagëtive.

Kjo 40-vjeçare ka tre fëmijë, përfshirë një vajzë 15 vjeçe të martuar. Burri dhe djali i saj i madh, 20-vjeçar, shkojnë shpesh në Kosovë për t’i shitur produktet e tyre bujqësore, por edhe për të bërë ndonjë punë tjetër të përkohshme. Shatja ka frikë për ndonjë mbyllje eventuale të kufirit me Kosovën, sikur kishte ndodhur për disa muaj gjatë pandemisë COVID-19.

“Gjatë koronës [pandemisë], kemi qenë të gjithë të mbyllur. As në Kukës, as kurrkund. Vetëm në shtëpi… çfarë kemi pasur, kemi ngrënë. Nuk ka më vështirë”, kujton Shatja.

Tjetër hall për të është mungesa e një spitali të afërt në Shqipëri.

“[Në Borje] sëmuresh e nuk vjen askush të të bëjë gjilpërë [injeksion], as të të shikojë”, thotë Shatja.

Edhe për shërbime shëndetësore, ajo thotë se banorët e fshatit shkojnë kryesisht në Kosovë.

“Për dhëmbë e për të gjitha… nëse kemi diçka, shkojmë në Kosovë”, thotë ajo.

Nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Dragash thonë për Radion Evropa e Lirë se, çdo ditë, presin dhjetëra pacientë nga Borja dhe zona të tjera kufitare të Shqipërisë. Kur mbetet e vetme në shtëpi, Shatja llogarit edhe në ndihmën e djalit të saj 9-vjeçar për punët me bagëtitë.

Por, me rënien e borës, ajo thotë se djali ka dëshirë edhe të rrëshqasë me shokët, pasi kryen orarin e mësimit në shkollën që gjendet më afër qendrës së fshatit. Nga kodra lart ku banon, ajo e pret dhe e përcjell me sy djalin teksa ngjitet rrugëve që kanë nisur të bëhen vështirë të kalueshme nga bora dhe balta.

Borja, aktualisht, ka vetëm shkollën fillore 9-vjeçare, ndërsa për të kryer shkollën e mesme, nxënësit duhet të shkojnë në fshatin Shishtavec, rreth 11 kilometra larg.

Shkolla “Xhafer Ollomani” në Borje, sipas të dhënave publike ka rreth 100 nxënës.

Banorët thonë se janë ankuar disa herë te Komuna e Kukësit për mungesë të infrastrukturës, por deri më tani pa rezultat.

“Për vota [vijnë], por rruga zero”, thotë Biljana. “Po të mos ishte Kosova, Borja do të kishte ngordhur”, thotë ajo.

Bashkia e Kukësit në Shqipëri ka thënë se arsyeja pse nuk është e asfaltuar rruga Borje-Kukës është për shkak të mungesës së fondeve.

“Rruga nuk është shtruar për shkak të mungesës së fondeve ku pjesa më e madhe e fshatrave të Kukësit janë rrugë rurale”, thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë.

REL

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button