Aktualitet/LajmeBlogEditorialKryesoreKultureOpinions

In memoriam/ Artan Lame ishte besimtar kulture

Nga Aleksandër Çipa

Ku do të mbetet dhe si do ta njohin lexuesit e ardhshëm, publicistikën e Artan Lames?!

Në ciklin më spikatës të shkrimeve të Artan Lames mishërohet qëllimi i tij, i thënë sipas Georg Orwellit në esenë “Pse shkruaj”:”…për t’i magazinuar faktet për përdorim nga përjetësia”.

Dy rubrikat autoriale të Lames, të lëna në shtypin ditor dhe periodik shqiptar për më shumë se dy dekada, përkatësisht ‘Shqipni tavolinash” dhe “Shqipni e harrume”, janë një prurje shquese që i kanë dhënë dhe do t’ia lënë në fuqi si shpërblim,- paharresën autorit.

 Stili në shkrimet e tij ishte kultura e Tanit, përmes këtij stili ai e shpërfaqi si pakkush arkitekturën e mendimeve të veta.

 Nga rubrika “Shqipni tavolinash”, të cilën për tri vjet e kam pritur dhe përcjellë në botime në cilësinë e kryeredaktorit të së përditshmes “Shqip”, janë ende në kujtesë tituj për kaosin e pronave (“Gjej prona”) apo satira e Tanit për shtetin folklorik “Pa leje-Me leje”. Ishin ato raste kur publicisti triumfonte mbi nëpunësin, duke qesëndisur papërgjegjshmërinë institucionale , si natyrë në këtë vend.

Eshtë kjo rubrika e një buzëholli konician të ditëve tona.

Apo nga rubrika “Shqipni e harrume” me tituj që lidhen me Tiranën e vjetër, kinematë e zhdukura, fotografitë e rralla, rrugët dhe lagjet e Tiranës së dikurshme, heraldika, historitë e familjeve tiranase etj.etj.. Sikundër cikli i eseve mbi trashëgiminë e shkatërruar dhe të zhdukur të Tiranës, kronikat mbi Pazarin e vjetër, botimet mbi simbolikën kombëtare shqiptare, etj., etj.

Tani ishte progresivisht i mbathur me ethe dhe pasion shkrimor. Ai udhëtoi në ditët e jetës së frymtë me pakënaqësinë e kohës së pamjaftueshme dhe të gjërave, pamundësisht të shkrueshme të gjitha.  

Postvdekja e Artan Lames na tregon shumë gjëra që s’i dinim, natyrisht jo të gjithë, por shumica jonë. Prandaj  natyrshëm gjendemi para imponimit për rinjohje dhe drejtnjohje të Lames edhe përmes kësi takimesh, sikundër do të thoshte:”me të, pa të”, por për të. Të vetme mundësi për këtë, tashmë kemi tekstet e tij.

Artan Lame ishte besimtar kulture. “Kur nuk besohet asgjë, kuptimet bëhen fe”,-thotë Emil Cioran. Këtë e dëshmon materia e bollshme shkrimore e tij, sepse selektoi dhe la në lëndën e vet shkrimore shumë ndodhi, histori, artefakte, portrete të mbuluara dhe të hijesuar, të shkuar të mohuar dhe të sotme të boshtë. Për shkak të këtij besimi që mbartte në fetarinë e vet të kërkimit dhe të zbulimit të kuptimësisë së shumë gjërave nga historia kombëtare, nëpër thellësitë e së shkuarës, të gjithë ne njohësve të vet; na la në pengun e të ndërprerit të madh.

 Artan Lame, rezononte jo mistikë teologjike, por mirësi zbulimtari.

Nëse do të perifrazoja Christiane Amanpour, në rastin e shkrimeve të Artan Lames në mbi tri dekada publicistikë ndodhte triumfi i memories mbi harresën e shumëgjendur dhe gjurmë shumëlënëse.

Ai pati dy nisje dhe një ikje tek vdekja, si trup i mishtë, ndërsa si mendje është po aq imponues ndër ne.

A nuk po na imponon kaq bukurisht dhe prekshmërisht edhe në këtë takim?!

 Na e mbuloi kalendarin e një viti ikjeje me librin që na la, me Muzeun që projektoi dhe e bëri gati për ne dhe pasardhës.

Sepse Tanin nuk e lëndonte asgjë më shumë se sa shpirti. Shumëcka tek e fundit, na e la për shpirtin dhe mendjen, si dhuratë për ta uruar edhe tani që është në amëshim.

Një vit më parë, në ditën e pikëllimtë të ikjes, tekstit tim eulogjik për Tanin i shtoja përfundi pohimin se :” Tani bëri dhe la për kujtesën, në një vend dhe shoqëri që ka talent harresën…. Ai e dinte mirë se, sendet dhurojnë kujtesë…” Tekstet, sidomos librat e Tanin, bashkë me Muzeun, janë dhuratë e uruar për kujtesën tonë kombëtare, ndërsa publicistika e tij është një lëndë e një të përkori që ia doli të bëjë kohën e vet, pamvarësisht nga ndërprerja. Dritën e të ikurve iluzivisht ne përpiqemi ta kërkojmë në qiej, të Tanit e kemi tek punët e lëna mes nesh.

Tiranë  më 21 Maj 2026

Artikuj të lidhur

Back to top button