Aktualitet/LajmeNdodhi

I organizuan atentat për ta eliminuar, kush është juristi Mitri Prifti – Nga tentativa për të ekzekutuar Edison Begajn në sy të fëmijëve, tek ndryshimi i dëshmisë në gjyqin për Shullazin

SPAK ka hedhur dritë mbi një ngjarje kriminale, ku juristit Mitri Prifti i është organizuar një atentat me qëllim për ta eliminuar.

Mësohet se pjesë e grupit kriminal me qëllim vrasjen e Mitri Priftit është Genti Nderjaku alias Kili alias Ekil Nderjaku, i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, i ndodhur më 1 nëntor 2019 në Autostradën Tiranë-Durrës ku humbi jetën shoferi i tij Andi Maloku.

Mësohet se Genti Nderjaku ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të eliminuar Mitri Priftin në periudhën 4 tetor 2020 deri në 30 janar 2021.

“Genti NDERJAKU (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28/4, të Kodit Penal, në dëm të viktimës Mitri Prifti, për periudhën ndërmjet datave 04.09.2020-30.01.2021; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1, i Kodit Penal”, informon SPAK.

Por kush është Mitri Prifti?

Juristi Mitri Prifti u identifikua si autori i dyshuar i atentatit ndaj Edison Begajt, ngjarje e ndodhur në 29 maj 2021 në Kaninë.

Ndaj 39-vjeçari u ngrit akuza për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe u katër muaj pas atentatit, më 30 shtator.

“Nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasin M. P, 36 vjeç, banues në Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur”, njoftoi policia në atë kohë.

Shkak është bërë një përplasje që Mitri Prifti ka pasur me Edison Begajn në zonën e Lungomares në Vlorë.

Përpasja verbale mes të dyve në një lokal, u pasua dhe me konflikt fizik ku Begaj e ka qëlluar Priftin. Kjo dyshohet se ka qenë e patolerueshme për 39-vjeçarin.

Ndaj disa ditë më vonë, ai dyshohet se ka organizuar atentatin, që rezultoi i dështuar.

Autori ka qenë i veshur me rroba si të policisë dhe i maskuar në momentin që qëlloi me armë në drejtim të Begajt në hyrje të banesës së tij.

44-vjeçari mori 4 plumba që e kapën në këmbë dhe përfundoi në spital, por u mbijetoi plagëve të marra.

Ndërkohë ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve të tij që ndodheshin brenda në automjet.

“Nuk e njoh Shullazin”

Mitri Prifti gjithashtu ka qenë dëshmitar në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit në vitin 2017. Në dëshminë për togat e zeza më 19 shtator Mitri Prifti ka dhënë në gjyq deklarime të tjera nga ato që kishte pohuar para grupit hetimor në fazën e procedimit penal paraprak.

Dëshmitari, me origjinë nga Kuçova, u pyet në Gjykatë në cilësinë e kushëririt të parë të Jani Zakës, biznesmenit të cilit iu vendos një sasi lënde eksplozive në garazhin e tij te “21 Dhjetori”.

Dëshmitari Mitri Prifti tha në sallën e gjyqit se kushëriri i tij, biznesmeni Jani Zaka, i kishte thënë që kishte pasur probleme pronësie me familjen Sinani. Kjo deklaratë e dëshmitarit u kundërshtua nga ana e Prokurorisë.

Organi i akuzës tha se Mitri Prifti kishte pohuar në janar 2016, kur edhe ishte marrë në pyetje nga oficeri i Policisë Gjyqësore, se kishte biseduar me kushëririn e tij, Jani Zakën, dhe ai i kishte thënë se ka marrë kërcënime edhe nga Emiljano Shullazi.

Në seancën gjyqësore te Krimet e Rënda, dëshmitari nuk e përmendi Emiljano Shullazin apo anëtarët e akuzuar si pjesë të grupit të tij. Prokuroria kundërshtoi dëshminë dhe kërkoi që si provë të merren thëniet e dhëna nga shtetasi Mitri Prifti në vitin 2016, në fazën e hetimit paraprak.

Avokatët kundërshtuan këtë kërkesë të Prokurorisë, duke theksuar se nuk ka bazë të merret e mirëqenë dëshmia e vitit 2016, për sa kohë dëshmitari e deklaroi tani qëndrimin e tij para gjykatës.

Dëshmia në 2016

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Mitri Prifti, më datë 3.02.2016, ka deklaruar se: “Janin e kam djalë halle, më 02.02.2016 më thotë në telefon se kishte nevojë të takohej me mua, kur u takuam, më tha se kishte një problem, se i ka blerë një parkim 1000 m² F. Sinanajt para 4 vjetësh…. me kontratë sipërmarrjeje 250.000 euro… të cilat i ka paguar me këste sipas kontratës…

F. kishte dërguar djalin e vogël, i cili i ka kërkuar që t’i jepte 30.000 euro për parkingun dhe të tjerat t’ia jepte më vonë, pasi djali i F. pretendonte se Jani kishte shfrytëzuar momentin e ngushtë ekonomik të babait të tij, kur i kishte blerë garazhin, pasi garazhi kushton 500.000 euro.

Ai i ka thënë se garazhin nuk e shes, se me këtë po ha bukë, ai është larguar…. Disa ditë më vonë, Janin e takon një djalë lagjeje, të cilin ai nuk e njeh, i cili i ka thënë se do të të takojë pak Emiljano Shullazi.

Jani pas këtij takimi ishte shumë i trishtuar dhe i dërgon njoftim shtetasit F. Sinani, ku i thotë më jep lekët e mia dhe unë tërhiqem, se nuk dua probleme, por djali i tij Andi i thotë se tani merru me ata që kanë hyrë në lojë… dhe mundohu t’u bindesh se e di çfarë të gjen… më datë 02.02.2016, rreth orës 11:00, Janin e kanë marrë në telefon dy persona te NSHRAKU.

Pasi i ka takuar personat, të cilët nuk i njeh me emra, ata i kanë thënë hip në makinë se të kërkon Emiljano Shullazi dhe Jani u ka thënë se marr taksi dhe vij vetë, ata i kanë thënë të vish tani për dy minuta, se ai nuk mund të të presë ty.

Jani vete te një lokal i kuq, prapa qendrës “Glob”, dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai thotë se nesër nga ora 10:00 ta kesh telefonin hapur dhe do të vijë ky djali i xhaxhait tim të kalojë pak atë pronën në emër të tij. Pa i lënë mundësi që të flasë, Emiljano i ka thënë të dilte jashtë se kishte mbaruar punë me të.(Panorama)

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button