Aktualitet/LajmeKryesoreNdodhi

Gledis Nano fiton gjyqin për shkarkimin nga detyra, do të paguhet për 5 vite

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, do të paguhet për 60 muaj, sikur ta kishte mbyllur mandatin e tij 5-vjeçar.

Mësohet se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka vendosur të pranojë pjesërisht padinë e Nanos, ndërsa ka refuzuar kërkesën tjetër të tij, sistemimin në strukturat e tjera të policisë.

Në vendim saktësohet se pretendimi që Nano është shkarkuar për performancë të ulët nuk qëndron, pasi është vërtetuar më pas se ajo ka qenë mbi mesataren vjetore.

Por ky vendim është ankimuar nga autoritetet shtetërore të paditura, si Këshilli i Ministrave, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, dhe pritet një tjetër betejë në Administrativen e Apelit.

“Gjykata çmon se përcaktimi nëse paditësi ka bërë performancë të ulët dhe jo me- satare psh, nuk mund të përcaktohet vetëm nga 3 muaj punë, ndërkohë që ka pa- tur gati 10 muaj në këtë detyrë. Po ashtu referuar provave të paraqitura nga paditësi Raportit vjetor të Policisë së Shtetit të vitit 2022 të administruara në cilësinë e provës u provua në gjykim se përformanca e paditësit Gledis Nano, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka qenë mbi mesataren vjetore, të vitit të kaluar”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata Administrative argumenton se shkarkimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit mund të bëhet vetëm në dy raste: kur dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale ose nuk përmbushen objektivat strategjikë për shkak të performancës së ulët të tij.

‘Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit qëndron në detyrë për një periudhë prej 5 vjetësh me të drejtë riemërimi edhe për 5 vjet të tjera.” Si rrjedhim palët e paditura detyrohen t’i paguajnë paditësit Gledis Nano pagën bruto që do të kishte përfituar deri në përfundim të mandatit 5 (pesë vjeçar)”, thuhet në vendim. 

Nano u shkarkuar më 31 gusht 2022 me argumentin se nuk i ka realizuar objektivat, me propozim të ish-ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Në vend të tij, u emërua Muhamet Rrumbullaku./CNA 

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button