Aktualitet/LajmeRajoni

“Ftesa e dështuar” e Borrellit, Kurti e refuzoi takimin me Vuçiqin – çfarë pritet të ndodhë me dialogun!

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se të mërkurën në Bruksel nuk u mbajt takim trepalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Kushtet e Kurtit ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët përkatës të dyja shteteve, tërheqja e letrës zyrtare të dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, si dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar “terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës, tha Borrell gjatë një konference për media të mërkurën.

Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, në një bashkëbisedim me “Bota sot” komentoi zhvillimet e fundit në Bruksel, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, dështimi i një takimi trepalësh është normal dhe brenda kornizave negociuese.

Image

Shqiprim Pula

FOTO GALERI

Madje, ai tha se pala serbe mbajti qëndrime refuzese ndaj propozimeve të Kosovës, për këtë edhe dështoi takimi i planifikuar.

“Takimi i fundit nga palët dialoguese me përfaqësuesit e Unionit Europian, ka konfirmuar sërish se nuk ka patur marrëveshje, e as vullnet për marrëveshje më parë. Mbase duhet kuptuar si krejt normale dhe brenda kornizave, në një proces dialogimi, që palët bëjnë propozime e kundër-propozime duke i shqyrtuar, plotësuar e modifikuar me qëllimin për t’a arritur epilogun e menduar. Por, u pa qartazi se pala serbe ashtu si më parë tregoi qëndrime refuzuese për t’i shqyrtuar propozimet e palës së Kosovës, e për rrjedhojë mungoi edhe takimi trilateral”, deklaroi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gjithashtu, Pula vlerëson se me këtë qasje të Serbisë nuk do ketë dialog normal dhe se nuk mund të pritet normalizimi i marrëdhënieve mes dy palëve.

“Duhet kuptuar edhe një gjë drejtë e saktë se, pa një Serbi normale nuk do të ketë proces normal dialogimi, e poashtu, pa u respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtate që palët duhet të njihen si të barabarta nuk do ketë as normalizim marrëdhëniesh”.

Krahas kësa, ai kritikoi edhe ndërkombëtarët dhe qasjen e tyre të njëanshme karshi palës serbe, ku tha se kjo edhe ka ndikuar që të dështojnë negociatat.

Në këtë rast, përmendi sanksionet dhe ‘kërcënimet’ në lidhje me Asocaicionin.

“Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Unionit Europian, Josef Borrel, por edhe akterët e tjerë të involvuar në këtë proces dialogimi të paktë një gjë e kanë kuptuar se palët nuk janë trajtuar mbi parimin e barabartësisë, prandaj dhe, dështimi i tyre në këtë aspekt e ka dështuar edhe pretendimin për ‘normalizim marrëdhëniesh’ ndërmjet Kosovës e Serbisë. Nuk mundesh që njërës palë t’i vendosësh masa, t’ia kërkosh me insistim e t’a kërcënosh për themelimin e ‘Bashkësisë së Komunave Serbe’; e palës tjetër të mos i’a kërkosh heqjen e Kosovës nga kushtetuta e saj apo njohjen e subjektivitetit duke ju referuar edhe opinionit ligjor të GjND-së, kështu, me këto lloj absurditete nuk ka dhe nuk do ketë sukses ky proces dialogimi”, përfundoi Shqiprim Pula për “Bota sot”.

Artikuj të lidhur

Leave a Reply

Back to top button