Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë një tjetër reagim nga paraburgimi i Fierit.
REAGIMI
Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj
Nderkohe brenda dites mesohet se Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale të hënën, më 23 nëntor, në Spitalin Rajonal Memorial Fier, për shkak të një dëmtimi në kavilien e majtë.Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka bërë të ditur se data e operacionit është përcaktuar pas një sërë konsultash dhe ekzaminimesh mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar, Veliaj do të paraqitet në spital të dielën, më 22 nëntor, për t’iu nënshtruar analizave laboratorike dhe kontrolleve të nevojshme para ndërhyrjes.
Problemet shëndetësore të kryebashkiakut janë ndjekur nga stafi mjekësor i institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier që prej momentit të pranimit të tij, kur kishte raportuar dëmtimin në kavilie.
Më 6 nëntor, Veliaj është vizituar nga një mjek ortoped i Spitalit Rajonal Fier, ndërsa një ditë më vonë ka kryer rezonancën magnetike dhe radiografinë e kavilies së majtë. Pas vlerësimit të rezultateve, specialistët kanë rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, duke sqaruar se nuk bëhej fjalë për një urgjencë mjekësore.
Një tjetër konsultë me dy mjekë ortopedë është zhvilluar më 18 nëntor në ambientet e institucionit penitenciar, ku është konfirmuar mundësia e realizimit të operacionit në Spitalin Memorial Fier.
Drejtoria e Burgjeve bën të ditur se Veliaj ka kërkuar edhe mendimin e një mjeku specialist të zgjedhur prej tij. Sipas institucionit, mjekut i është krijuar mundësia për ta vizituar më 18 nëntor, por ai nuk është paraqitur.
Megjithatë, autoritetet penitenciare kanë sqaruar se specialisti i përzgjedhur nga Veliaj mund të jetë i pranishëm gjatë procedurave paraoperatore të 22 nëntorit ose gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të planifikuar për një ditë më pas.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se do të vijojë të garantojë kujdesin e nevojshëm shëndetësor për Veliajn, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e tij.